Një incident i rëndë dhune në familje ka ndodhur në zonën e Lavrios, në Athinë, ku një 32-vjeçar rumun ka hyrë me forcë në banesën e ish-partneres së tij, duke thyer një dritare me çekiç.
Pas hyrjes në banesë, 32-vjeçari ka nisur të debatojë me ish-partneren e tij dhe partnerin e saj aktual, përpara se t’i sulmonte me thikë. Gruaja 32-vjeçare dhe partneri i saj, 33-vjeçari shqiptar Klevis Tite, kanë mbetur të plagosur.
Të dy të plagosurit janë dërguar në spitalin Asklepieion në Voula për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kishin pësuar plagë të rënda. Gjendja e gruas është konsideruar më serioze dhe ajo është transferuar më vonë në spitalin Evangelismos.
Në momentin e sulmit, brenda banesës ndodheshin edhe dy fëmijët e mitur të 32-vjeçarit rumun dhe ish-partneres së tij, përkatësisht 1 vjeç e gjysmë dhe 2 vjeç e gjysmë.
Autori 32-vjeçar është shoqëruar në Departamentin e Hetimit të Krimeve në Lavreotiki, ku është arrestuar nën dyshimin për tentativë vrasje.
Sipas autoriteteve, ndaj tij kishte edhe pesë kallëzime të mëparshme për dhunë në familje. Më 3 shtator, ai ishte arrestuar gjithashtu për armëmbajtje pa leje.








