Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë ka reaguar lidhur me gjetjet e Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2026, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e bashkive dhe përfshirjen e tyre në projektet dhe fondet europiane.
Në reagimin e saj, shoqata i referohet Kapitullit 22 të raportit, ku Komisioni Europian rekomandon që institucionet sektoriale dhe Shoqata e Bashkive të sigurojnë përfshirjen efektive të njësive të vetëqeverisjes vendore gjatë gjithë ciklit të programimit dhe zbatimit.
Sipas shoqatës, ky rekomandim dëshmon rëndësinë e përfaqësimit real dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se pretendimet për unifikimin e të gjitha bashkive nuk pasqyrojnë situatën aktuale.
Në përfundim, shoqata thekson se fondet europiane duhet të jenë të paanshme dhe se përfaqësimi i bashkive duhet të bazohet në gjithëpërfshirje dhe barazi.
REAGIMI:
Raporti i Komisionit Europian 2026 për Shqipërinë meriton vlerësim për vëmendjen ndaj situatës reale të qeverisjes vendore, përfaqësimit dhe përfshirjes së bashkive në proceset dhe fondet europiane.
Një konstatim dhe rekomandim veçanërisht i rëndësishëm gjendet në Kapitullin 22, ku Komisioni Europian thekson:
“Institucionet sektoriale dhe Shoqata e Bashkive duhet të sigurojnë përfshirjen efektive të palëve të interesuara dhe njësive të vetëqeverisjes vendore gjatë gjithë ciklit të programimit dhe zbatimit.”
Ky formulim ka rëndësi të veçantë, sepse përfshirja efektive nuk mund të zëvendësohet me përfaqësim formal apo deklarata për unifikimin e shoqatave.
Realiteti është se Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë përfaqëson bashkitë e mazhorancës socialiste, ndërsa bashkitë e drejtuara nga opozita përfaqësohen në Shoqatën e Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë.
Prandaj, pretendimet për përfaqësim të unifikuar të të gjitha bashkive nuk pasqyrojnë realitetin.
Problemi bëhet edhe më serioz kur lidhet me projektet, partneritetet dhe fondet e organizatave ndërkombëtare, të cilat shpesh prezantohen në emër të të gjitha bashkive dhe unifikimit.
A përfshihen realisht të gjitha bashkitë? A kanë akses të barabartë në projekte, asistencë teknike dhe financime? A informohen saktë partnerët ndërkombëtarë mbi përfaqësimin real?
Këto janë çështje që kërkojnë transparencë, monitorim dhe përgjegjësi nga institucionet, shoqatat dhe partnerët ndërkombëtarë.
Vlerësojmë që Komisioni Europian e vendos theksin te përfshirja efektive. Ky duhet të jetë edhe standardi për çdo projekt dhe financim që realizohet në emër të qeverisjes vendore shqiptare të jetë përfshirës.
Përfaqësimi nuk është monopol. Fondet europiane nuk kanë ngjyrë politike. Unifikimi nuk shpallet, por provohet me gjithëpërfshirje dhe barazi.







