Gara për qiellin e Tiranës po bëhet gjithnjë e më e fortë. “Mali i Tiranës’ me 58 kate, i konsideruar si kulla më e lartë në kryeqytet, sfidohet nga një tjetër qiellgërvishtëse.
Në mbledhjen e 30 korrikut të Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit, mes shumë kërkesave për leje për hotele e godina shumëkatëshe bie në sy një kullë 77 katëshe në zemër të Tiranës. ‘Mali i Tiranës’, projekt i prezantuar në 2023-shin do të ndërtohet nga Nova Construction e Ilir Shtufit, biznesmeni i kapur në Greqi pasi SPAK lëshoi një urdhërarrest ndaj tij për pastrim parash për llogari të një grupi kriminal.
Disa dhjetëra metra larg kullës së Shtufit, projektohet një godinë edhe më e lartë. “Leje Ndërtimi për objektin: “Tirana Society Towers”, ndërtesë me përdorime të përziera, 77 kate me 10 kate parkimi nëntokësor”, me vendndodhje në rrugën “Ludovik Shllaku”, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues “National Construction” sh.p.k”, thuhet në rendin e ditës së 30 korrikut.
Ndërtesa parashikohet të ngrihet prapa pallatit të Kulturës. Projekti është realizuar nga një emër i njohur i arkitekturës botërore, kiliani Alehandro Aravena.
Sipas të dhënave të hapura “National Construction” shpk, zotërohet nga TDT&Partners me ortak Glendi Abdinë dhe Dajlan Avdine, e cila ka 50 përqind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër është e kompanisë Deutchcolor, pjesë e grupit DC Industries, e kontrolluar nga Luan Muça, një prej biznesmenëve më të fuqishëm në vend.
Në fillim të këtij muaji Muça u bë protagonist i një konflikti me armë në hotelin ‘Regina Palm’ të Vasil Bedinajt në Vlorë. Shkak u bë përplasja për pronësinë e një trualli në Palasë. Muça u arrestua, por u la i lirë tre ditë më pas, nën masën “detyrim paraqitje”.
Si për ironi të fatit, në të njëjtën ditë me projektin e tij në Tiranë, KKTU kishte në rend të ditës dhe aplikimin për leje ndërtimi të resortit në Palasë, nga Regina Group, e Vasil Bedinajt.
“Leje Ndërtimi për objektin: Resort turistik “Regina Collection Palasë”, 1, 2, 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, me pishina dhe mur rrethues me vendndodhje në Palasë, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues “Regina Group Construction” sh.p.k”, shkruhet në pikën 74 të rendit të ditës, të mbledhjes po të 30 korrikut.
Ka qenë pikërisht kjo leje, që sipas deklarimeve publike të Muçës, është kthyer në mollën e sherrit. Një takim “sqarues” mes palëve që përfundoi me përdorimin e armëve e ndoshta dhe me shuarjen e ëndrrave për të ndërtuar në atë tokë. Të paktën kryeministri Rama u angazhua publikisht për shpronësimin e asaj sipërfaqeje dhe kthimin e saj në një lulishte.
Një numër i madh lejesh për godina të larta, kishin qenë përfshirë dhe në rendin e ditës së mbledhjes së mëhershme në 17 korrik. Janë të paktën 16 leje për godina deri 43 kate që janë shqyrtuar në atë mbledhje, e deri tek aprovimi i rikonstruksionit të pallatit pranë QSUT që u përfshi nga flakët në prill të këtij viti. Punimet do të realizohen nga vetë kompania Arlis Construction.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe leja për zhvillimin e objektit “Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stermasi” në Tiranë. Përveç stadiumit të ri, janë parashkuar dhe një hotel 23 kate, dhe një pallat banimi 25 katësh. Ndërtimi i tyre parashikohet të realizohet nga tre kompanitë “Plateau Spv” sh.p.k, “Cairn Spv” sh.p.k dhe “Gorge Spv” sh.p.k, të treja të kontrolluara nga “Albanian Investment Construction”, me ndërtuesin Alban Peza që zotëron 75.5 përqind të shoqërisë.
Të paktën 27 leje ndërtimi për godina shumëkatëshe, kanë qenë në rendin e ditës edhe në mbledhjen e 13 gushtit të KKTU.
Por përveç ndërtesave të larta, në të tre mbledhjet e verës së Këshilit Kombëtare të Territorit dhe Ujit ka patur kërkesa të shumta dhe për hotele, nga veriu në jug, bujtina, resorte, ndërtesa industriale apo investime në sektorin e energjisë. /Faktor.al







