Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, gjatë Konferencës së 10-të Ndërqeveritare në Luksemburg, ku u konfirmua mbyllja e ndërmjetme e kapitullit 20. Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit, duke theksuar se Shqipëria është e vendosur të vijojë reformat dhe të përshpejtojë procesin e integrimit europian.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë falënderoi Presidencën irlandeze, komisioneren Marta Kos dhe vendet anëtare të BE-së për besimin dhe mbështetjen e dhënë Shqipërisë. Ai shprehu gjithashtu shpresën për përparim të mëtejshëm deri në samitin e ardhshëm të Planit të Rritjes dhe Forumit të Investimeve që pritet të mbahet në Tiranë.
“Falënderime për Presidencën irlandeze dhe për Martën dhe ekipin e saj. Së fundmi, në radhë, por jo nga rëndësia, falënderoj të gjitha vendet anëtare për besimin, mbështetjen dhe angazhimin gjatë gjithë procesit.
Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, por jemi të përgatitur për t’ia dalë. Pres me padurim që të mbahet samiti i ardhshëm i Planit të Rritjes, së bashku me Forumin e Investimeve në Tiranë. Deri atëherë, jam plot shpresë se do të kemi bërë edhe më shumë progress”, tha Rama.
Duke iu referuar mbylljes së ndërmjetme të kapitullit 20, kryeministri theksoi se ky është një tjetër vlerësim për reformat e ndërmarra nga Shqipëria. Ai nënvizoi se objektivi i qeverisë është të bëjë edhe më shumë për të përmbushur kushtet e anëtarësimit dhe për ta afruar vendin me Bashkimin Europian.
“Sot Shqipëria ka hedhur një tjetër hap vendimtar drejt vendit të saj të drejtë në BE. Mbyllja e ndërmjetme e kapitullit 20 është njohje më tej e reformave që ka realizuar Shqipëria dhe reformave që vendi ka vazhduar të ndërmarrë. Ju dëgjova qartësisht, i dashur Thomas, ju doni të bëni edhe më shumë, ne duam së paku të bëjmë dyfishin. Le të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët dhe le ta tundim këtë shtëpi, ta bëjmë realitet”, tha Rama.







