Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin.
Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për shportën ushqimore dhe rritja e taksave për biznesin është një vendimmarrje e ndikuar nga situata politike në vend.
“Nuk kemi pasur ndërmend këtë ndryshim, një pjesë e tyre do të ndodhnin në 2028 , por për shkak të situatës politike që po evulon në vend, dhe kërkesat që kanë paraqitur aktorë të ndryshëm, kemi vendosur që kjo ndërhyrje të bëhet në nivel politik.
Synimi afatgjatë i ndryshimeve fiskale është përmirësimi i politikave sociale për shoqërinë shqiptare.Do të analizohet nëse reduktimi i TVSH-së për shportën bazë ushqimore do të ketë një ndikim. Kjo është një nga çështjet e diskutuara së fundmi, për të cilën zyrtarët po kërkojnë një zgjidhje. Hapat e parë mund të jenë të shpërndarë, por kjo është një nismë që synon të adresojë problemin e çmimeve për familjet shqiptare.
Do të kemi reduktim të kostove për shtresat më të prekura, si dhe politika të tjera sociale që do të prezantohen në vijim, siç është strehimi social.Paketa do të marrë kohën e duhur për konsultime. Rrethanat nuk kanë qenë të zakonshme. Një pjesë e këtyre ndryshimeve do të ndodhnin në një periudhë tjetër, përpara përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian, por rrethanat politike kanë bërë që ato të ndërmerren më shpejt”, u shpreh përfaqësuesi i qeverisë.
Kontabilistë, auditues dhe përfaqësues të Dhomave të Tregëtisë kundërshtuan ashpër ndryshimet për rritjen e tatimit mbi të ardhurat të korporatave dhe dividentin. Ata paralajmëruan se këto ndryshime do të sjellin eksod të bizneseve shqiptare në rajon. Për anëtarët e Këshillit Tatimor ulja e TVSh për shportën ushqimore nuk prite të sjellë ulje të çmimeve. Ndërsa paralajmëruan se ulja e pragut të detyrueshëm për regjistrimin e bizneseve në TVSh nga 10 mln lekë xhiro në vit në 5 mln lekë do të rrisë koston për biznesin e vogël.
“Rritja e tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi fitimin e korporatave rrezikon ta bëjë Shqipërinë vendin me normat më të larta të taksimit në rajon. Kompanitë e huaja, kur shqyrtojnë mundësitë për të investuar, analizojnë edhe nivelin e taksave. Me rritjen e këtyre normave, Shqipëria rrezikon të dalë jashtë vëmendjes së investitorëve, ndërsa bizneset e vendeve të tjera të rajonit do të fitojnë avantazh konkurrues ndaj bizneseve shqiptare.
Rritja e taksave për TVSH-në, dividendin dhe tatimin mbi fitimin, në total një rritje prej 10% rrezikon të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe ta bëjë Shqipërinë më pak tërheqëse për investimet. Rritja e këtyre taksave pritet të sjellë një eksod të bizneseve shqiptare drejt vendeve të tjera të rajonit”, paralajmëroi përfaqësuesi i biznesit.
Kontabilistët pohuan se ulja e TVSH-së, nuk pritet të reflektohet me uljen e çmimeve të shportës ushqimore.
Ekspertët e kontabilitetit dhe audituesit në mbledhjen e Këshillit Tatimor ngritën shqetësime për efektet e paketës fiskale, duke argumentuar se ulja e TVSH-së për shportën ushqimore po kompensohet nga rritja e taksave për bizneset. Sipas tyre, kjo ndërhyrje nuk pritet të garantojë uljen e çmimeve për konsumatorin final, ndërsa mund të sjellë efekte të kundërta, përfshirë rritjen e çmimeve dhe inflacionin.
“Ulja e TVSH-së mund të sjellë uljen e çmimeve, por pyetja që shtrohet është nëse ky kursim do t’u kalojë qytetarëve apo do të përthithet nga bizneset përmes rritjes së marzheve të fitimit./Monitor







