Prokuroria e Beratit kërkon 12 vite burg për shtetasin R.L. dhe 9 vite burg për E.V., të akuzuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, të parashikuar nga neni 114/2 i Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet për procedimin penal nr. 256 të vitit 2025, ka rezultuar se dy të pandehurit kanë shfrytëzuar për prostitucion shtetasen Y.Sh., duke përfituar financiarisht nga kjo veprimtari.
Nga deklarimet e viktimës rezulton se bashkëjetuesi i saj, R.L., ishte në dijeni të aktivitetit dhe merrte paratë që ajo fitonte. Klientët, sipas saj, siguroheshin nga E.V., ndërsa të ardhurat ndaheshin përgjysmë mes dy të pandehurve.
Shtetasja ka deklaruar se ushtronte prostitucion në zonën e Dimalit, në Berat. Ajo ka pretenduar gjithashtu se R.L. dhe E.V. kishin tentuar ta dërgonin në Greqi për ta shfrytëzuar, duke kërkuar nga 500 euro në muaj secili.
Gjatë hetimeve, R.L. ka pranuar se e kishte shtyrë bashkëjetuesen të ofronte shërbime seksuale, duke përmendur gjendjen e vështirë ekonomike. Ai ka pohuar gjithashtu se, në disa raste, e kishte ndihmuar për të gjetur klientë kundrejt pagesës.







