Julian Koni, 43 vjeç, është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij në fshatin Bërxullë u gjet një armë zjarri pistoletë që mbahej pa leje.
Sipas policisë, operacioni i koduar “Risku” u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në kuadër të punës parandaluese për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Kontrolli në banesën e Konit u krye në zbatim të një vendimi të Gjykatës. Gjatë kontrollit u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, krehri i saj dhe 7 fishekë. Në përfundim të veprimeve procedurale, 43-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Burime për InfoNews bëjnë me dije se kontrolli në banesën e Julian Konit u krye pas askioneve të zhvilluara nga policia mbrëmjen e djeshme, në vijim të hetimeve për vrasjen e 50-vjeçarit Edmond (Ali) Sula, ngjarje e ndodhur po në fshatin Bërxullë. Julian Koni është komshiu i 50-vjeçarit Edmond (Ali) Sula, i cili u vra pak ditë më parë në fshatin Bërxullë. Ai u arrestua pasi policia, në zbatim të një vendimi të Gjykatës, ushtroi kontrolle në disa banesa të zonës, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje kriminale.
Sipas të njëjtave burime, në banesën e Konit janë kërkuar prova që mund ta lidhin atë me vrasjen e Edmond Sulës. Edhe pse deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga policia për këtë aspekt të hetimit, burimet thonë se Julian Koni po verifikohet si një person që mund të ketë lidhje me krimin ose që mund të ketë ndihmuar autorin ose autorët e ngjarjes, pasi hetuesit dyshojnë se në vrasje mund të ketë marrë pjesë më shumë se një person.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj Julian Konit për vrasjen e Edmond Sulës. Mbetet që hetimet të përcaktojnë, mbi bazën e provave, nëse ai ka pasur ose jo përfshirje në këtë ngjarje.
Ndërkohë, policia njoftoi se kontrollet dhe verifikimet vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime metejshme./ Infonews.al







