Erjon Vishkulli, i riu nga Elbasani, i cili u qëllua nga policia me plumb gome në sy ka reaguar publikisht pas ndërhyrjeve kirurgjikale që ka kryer fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Romë.
I riu shprehet se në një moment kur zemra e tij kishte nevojë për mbështetje, shqiptarët i treguan se nuk është vetëm. Teksa shkruan se ndodhet në momente të vështira të jetës dhe po përballet me një sfidë të vështirë, ai falënderon Zotin për forcën dhe për jetën.
“Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë. Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.
Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua. Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime. Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Mirënjohje pafund, U shtofshin Shqiptarët e mirë”– shprehet ai.







