Një 29-vjeçar shqiptar, Isak Buna, i cili u arratis në Britaninë e Madhe pas plagosjes me kallashnikov të një personi në Shqipëri, ka arritur të shmangë ekstradimin në vendlindje. Buna, i cili në vitin 2013 plagosi një burrë pas një sherri në Zenisht, u dënua në mungesë me pesë vjet e katër muaj burg për kërcënim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Pasi ngjarja bëri bujë, Buna u arratis në Londër, ku u arrestua në janar nga autoritetet britanike pas një kërkese ndërkombëtare. Megjithatë, pas arrestimit, avokatët e tij argumentuan në gjykatën e magjistraturës së Westminster se kërkesa për ekstradim ishte shumë vonë për shkak të boshllëkut ligjor në Shqipëri.
Si pasojë, autoritetet britanike bllokuan ekstradimin dhe hoqën kërkesën për dërgimin e tij në Shqipëri. Një zëdhënëse e Home Office konfirmoi se ligjet e parashkrimit në Shqipëri e penguan ndjekjen penale dhe si rezultat, kërkesa për ekstradim u anulua. Nuk është e qartë nëse Buna ka kërkuar azil në Britani, por kjo ka hapur një çështje të re ligjore për të ardhmen e tij.