Një aksident i rëndë rrugor është shënuar pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku një këmbësor ka mbetur i plagosur pasi është përplasur nga një automjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:15, në zonën e njohur si ish-Parku i Rezervave të Shtetit. Sipas të dhënave paraprake nga burime jozyrtare, automjeti ka goditur një person të moshuar, i cili po lëvizte në këmbë.
Përplasja mësohet të ketë qenë e fortë, duke i shkaktuar këmbësorit dëmtime të rënda. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për identitetin e tij apo për gjendjen shëndetësore.
Aksidenti ndodhi në një kohë kur qyteti i Elbasanit po përballet me kushte të vështira atmosferike, reshje shiu dhe shikueshmëri të kufizuar. Mbetet ende e paqartë nëse moti i keq ka ndikuar në shkaktimin e përplasjes.
Ndërkohë, pritet që autoritetet të kryejnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e aksidentit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.







