Presidenca irlandeze e Këshillit të Bashkimit Europian ka propozuar shkurtimin nga 15 në 10 vjet të periudhës së provës për vendet e reja anëtare të BE-së, përfshirë Shqipërinë. Propozimi parashikon gjithashtu mundësinë e zgjatjes së kësaj periudhe edhe me pesë vite të tjera.
Qeveritë e vendeve anëtare po diskutojnë rregullat e reja që do të zbatohen për shtetet që i bashkohen unionit, me synimin për të garantuar respektimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit edhe pas anëtarësimit.
Sipas propozimit të presidencës irlandeze, periudha fillestare e monitorimit do të jetë 10-vjeçare, ndërsa në rast nevoje mund të zgjatet edhe për pesë vjet të tjera. Ndonëse ky propozim ka marrë mbështetje të gjerë, disa shtete anëtare kërkojnë që periudha të mbetet 15 vjet, duke argumentuar se nevojiten mekanizma mbrojtës për një kohë më të gjatë pas anëtarësimit.
Ky ndryshim shihet si një zhvillim pozitiv për vendet kandidate, pasi parashikon një periudhë fillestare më të shkurtër gjatë së cilës ato do t’u nënshtrohen masave të posaçme mbrojtëse.
Masat në fjalë janë propozuar nga Komisioni Europian me qëllim parandalimin e situatave kur një vend, pasi bëhet anëtar i BE-së, nis të cenojë parimet demokratike, shtetin e së drejtës apo pavarësinë e institucioneve.
Një nga masat më të rëndësishme që po shqyrtohet është pezullimi i së drejtës së votës për vendet e reja anëtare në rast të shkeljeve veçanërisht të rënda. Shumica e vendeve anëtare mbështesin këtë mundësi, ndërsa disa shtete kanë shprehur kundërshtime.
Pesë vende themeluese të BE-së, të udhëhequra nga Holanda, kërkojnë mekanizma më të fortë mbrojtës, për të shmangur përsëritjen e rasteve si ai i Hungarisë dhe përplasjet e vazhdueshme të qeverisë së Viktor Orbán me institucionet europiane për çështjet e shtetit të së drejtës.
Në krahun tjetër, grupi i vendeve të njohura si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku bën pjesë edhe Italia, kërkon që vendet e reja anëtare të mos trajtohen ndryshe nga shtetet që janë tashmë pjesë e unionit.
Një tjetër çështje që mbetet për t’u zgjidhur është mënyra e marrjes së vendimeve për vendosjen e masave ndëshkuese. Komisioni Europian ka propozuar që procedura të aktivizohet automatikisht, përveç rasteve kur një shumicë e cilësuar e vendeve anëtare e kundërshton. Ndërkohë, disa shtete kërkojnë që vendime të tilla të merren vetëm me unanimitet.
Si zgjidhje kompromisi, presidenca irlandeze ka propozuar marrjen e vendimeve me shumicë të cilësuar.
BE mund të shtyjë edhe anëtarësimin e vendeve kandidate
Përveç mekanizmave të monitorimit pas anëtarësimit, Komisioni Europian ka propozuar edhe një sistem kontrolli për vendet kandidate përpara se ato të bëhen zyrtarisht pjesë e Bashkimit Europian.
Ky mekanizëm synon të garantojë se shtetet vijojnë të përmbushin angazhimet për respektimin e vlerave europiane, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit deri në momentin e anëtarësimit.
Disa vende anëtare kërkojnë që kontrolli të përfshijë edhe përputhjen me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, në mënyrë që vendet kandidate të mos afrohen me fuqi të huaja që bien ndesh me interesat e unionit.
Në rast të shkeljeve të rënda, Bashkimi Europian mund të vendosë shtyrjen e anëtarësimit. Për këtë mekanizëm, vendet anëtare kanë qëndrime të ndryshme: disa kërkojnë që shtyrja të jetë nga një deri në tre vjet, ndërsa të tjera propozojnë që ajo të vazhdojë deri në korrigjimin e problematikave të konstatuara.
Ambasadorët e vendeve anëtare pritet t’i diskutojnë këto propozime më 18 nëntor. Bisedimet synojnë përgatitjen e një qëndrimi të përbashkët mbi garancitë që do të përfshihen në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.







