Është arrestuar në Dubai Armis Stafa, 36-vjeçari i cili akuzohet se pastroi paratë e grupit kriminal të Çopjave.
Ndaj Stafës, GjKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për pastrim parash.
Armis Stafa akuzohet se në vitin 2022 në bashkëpunim me persona të tjerë, ka pastruar paratë e përfituara nga krimi të Franc dhe Hajdar Çopja.
“Akuzohet nga GjKKO-ja, se pastroi paratë e një grupi kriminal në Elbasan, nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, kapet në Dubai, 36-vjeçari.
Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Ëanted”, u kap në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi A. S. alias A. S., 36 vjeç, i lindur në Elbasan.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç. (vëllezër), të përfituara nga veprimtari kriminale.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Abu Dhabi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”, njofton policia.