Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj në digjitalizimin e administratës dhe bizneset e saj kryesojnë rajonin në përdorimin e inteligjencës artificiale, por qytetarët mbeten në fund të Ballkanit Perëndimor për dy tregues bazë: aftësitë digjitale dhe përdorimin e internetit. Vetëm 23.3% e popullsisë shqiptare ka të paktën aftësi dixhitale bazë, niveli më i ulët në rajon, ndërsa internetin e përdorin 84.7% e individëve, përsëri përqindja më e ulët ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Hendeku në aftësitë digjitale është veçanërisht i madh. Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 35.8%, rreth 12.5 pikë përqindjeje mbi Shqipërinë, ndërsa në Bashkimin Evropian 57.6% e popullsisë zotëron të paktën aftësi bazë ose mbi bazë. Kjo do të thotë se përqindja në Shqipëri është më pak se gjysma e nivelit të BE-së.
Krahasimi brenda rajonit është po aq i fortë. Mali i Zi kryeson me 52% të popullsisë me aftësi dixhitale bazë, më shumë se dyfishi i Shqipërisë dhe madje mbi mesataren prej 46.7% të vendeve fqinje të BE-së që OECD përdor si grup krahasimi. Shqipëria, me 23.3%, mbetet poshtë të gjitha ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Edhe më shqetësuese është se hendeku nuk po mbyllet shpejt. Në të gjithë rajonin, pjesa e popullsisë me aftësi bazë digjitale është rritur vetëm 0.9 pikë përqindjeje krahasuar me periudhën 2020-2022. Në Shqipëri, rezultati relativ ndaj BE-së madje ka kaluar nga 42.3% në 40.5% të nivelit evropian, duke treguar se përmirësimi nuk ka qenë i mjaftueshëm për të ndjekur ritmin e BE-së.
OECD evidenton edhe një problem të fortë moshe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2023, 61% e të rinjve 16-24 vjeç kishin të paktën aftësi digjitale bazë, por kjo përqindje zbriste në vetëm 17% te grupmosha 55-64 vjeç. Në BE, përkatësisht, shifrat ishin 74% dhe 44%. Raporti e lidh diferencën me aksesin e pamjaftueshëm në arsim dhe trajnim digjital, sidomos për të rriturit që duhet të rikualifikohen ose të përditësojnë aftësitë e tyre.







