Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e ka nisur detyrën me një angazhim konkret për shërbimin ndaj pacientëve me sëmundje tumorale, duke vendosur edhe një kusht personal nëse premtimi nuk realizohet.
Gjatë interpelancës së saj të parë në Kuvend, Spahiu deklaroi se PET-Scan-i do të jetë pjesë e shërbimeve të ofruara në Spitalin Onkologjik në fillim të vitit 2027.
Ministrja shkoi edhe më tej, duke deklaruar publikisht se nëse pajisja nuk do të vihet në shërbim të pacientëve brenda afatit që ka përcaktuar, ajo do të japë dorëheqjen.
“Fillimi i vitit 2027, unë ose e sjell atë PET-Scan-in, ose jap dorëheqjen. Ja ku po ua them këtu”, deklaroi Spahiu nga foltorja e Kuvendit.
Ajo tha se e konsideron sigurimin e kësaj pajisjeje një sfidë kombëtare dhe nënvizoi eksperiencën e saj shumëvjeçare në sistemin shëndetësor dhe në politikë.
Spahiu deklaroi gjithashtu se prioriteti i saj do të jetë shërbimi ndaj pacientëve, ndërsa garantoi se zyra e saj do të jetë e hapur për qytetarët dhe ankesat e tyre.
“Çdo orë e punës time do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe pacientëve”, u shpreh ministrja.
Në fjalën e saj, Spahiu iu përgjigj edhe kritikave të opozitës, duke thënë se nuk do të lejojë, sipas saj, përhapjen e informacioneve të pasakta për sistemin shëndetësor gjatë kohës që ajo do të jetë në drejtim të ministrisë.
Ajo njoftoi gjithashtu se në janar pritet të nisë funksionimin Instituti i Onkologjisë, ndërsa tha se është dhënë tashmë një udhëzim për mënyrën se si do të ndiqen pacientët e diagnostikuar me kancer, përfshirë rastet që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale.







