Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj sigurisë së llogarive të tyre në WhatsApp, pas raportimeve të fundit në rajon për raste të komprometimit të llogarive.
Sipas njoftimit të AKSK-së, në disa raste përdoruesit kanë humbur aksesin në llogaritë e tyre, ndërsa autoritetet përkatëse vijojnë të analizojnë mënyrën se si kanë ndodhur komprometimet.
Në këtë situatë, AKSK këshillon përdoruesit të forcojnë masat e sigurisë dhe të jenë veçanërisht të kujdesshëm me kodet e verifikimit dhe kërkesat e dyshimta.
Një nga masat kryesore është aktivizimi i verifikimit me dy hapa (Two-step verification) në WhatsApp, përmes Settings → Account. Ky mekanizëm shton një shtresë të dytë sigurie përtej kodit të regjistrimit.
AKSK thekson gjithashtu se kodet e verifikimit, fjalëkalimet dhe të dhënat e llogarisë nuk duhet të ndahen me persona të tjerë, edhe nëse kërkesa duket sikur vjen nga një kontakt i njohur.
Një tjetër element që duhet kontrolluar rregullisht është seksioni “Linked Devices”, ku përdoruesit mund të shohin pajisjet e lidhura me llogarinë e tyre. Çdo pajisje e panjohur duhet të shkëputet menjëherë.
Kujdes me linket dhe kërkesat për verifikim
Autoriteti këshillon qytetarët të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të ardhura përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo email-it, veçanërisht kur ato kërkojnë verifikimin e llogarisë.
Rrezik përbëjnë edhe njoftimet e papritura për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër. Nëse përdoruesi merr një kod ose kërkesë të tillë pa e iniciuar vetë procesin, kodi nuk duhet ndarë dhe kërkesa nuk duhet autorizuar.
Për një mbrojtje më të plotë, AKSK rekomandon që edhe adsare e email-it e lidhur me WhatsApp-in të sigurohet me një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë.
Në rast se përdoruesi humbet aksesin në llogari, autoriteti këshillon që për rikuperimin e saj të përdoren vetëm procedurat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp-it.
“Kodi i verifikimit është personal”
Mesazhi i AKSK-së vjen me një paralajmërim të qartë: një kod verifikimi është personal dhe nuk duhet t’i jepet askujt.
Edhe në rastet kur kërkesa duket sikur vjen nga një person i njohur, përdoruesit duhet ta verifikojnë fillimisht kërkesën dhe vetëm më pas të ndërmarrin ndonjë veprim./ekofin.al







