Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet ndaj kompanisë “AlbChrome”, pas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), i cili evidentonte problematika serioze të ndotjes mjedisore në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik.
Sipas konstatimeve të AKM-së, mbetje të krijuara nga proceset industriale, të përftuara nga pluhurat e kapëseve, janë akumuluar prej vitesh dhe janë depozituar në mjedis të hapur, pa masa të përshtatshme sigurie dhe pa standardet e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit.
Raporti ngre shqetësime të forta për rrezikun që këto mbetje mund të paraqesin për shëndetin e banorëve dhe mjedisin përreth, ndërsa ato cilësohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit si mbetje me rrezikshmëri shumë të lartë, me përbërës potencialisht kancerogjenë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi ka vendosur ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë çështje. Grupi hetimor përbëhet nga tre prokurorë dhe dy hetues, të cilët do të administrojnë provat dhe dokumentacionin përkatës, si dhe do të kryejnë veprimet e nevojshme hetimore.







