“Kastrati Group” sjell në Shqipëri “Ryanair” dhe bojkoton “Wizz air”! Ky nuk është lajm i mirë për konsumatorin (në këtë rast udhëtarët që përdorin linjat ajrore) sepse zhduk konkurrencën. Atë që “Kastrati” ka bërë me tregun e karburanteve, ku dominon tregun dhe mban çmime stratosferike, po e bën tashmë edhe në Rinas.
Më 25 tetor 2023, Koncesionari i Aeroportit të Rinasit “Kastrati” shpalli në faqen e vet zyrtare se “po sjell Ryanair” operatorin e fluturimeve me kosto të ulëta, me bileta që fillojnë nga 15 euro.
Së pari, “Kastrati” e ka marrë koncesionin nga shteti shqiptar për t’u shërbyer të gjithëve në këtë aeroport ndërkombëtar dhe jo për të veçuar njërën apo tjetrën kompani.
Në faqen zyrtare, citohet deklarata e bërë nga drejtori i Ryanair ku sulmohet konkurrentja “Wizz”.
“Për një kohë të gjatë, rritja e rrugëve të reja dhe trafikut në Shqipëri është penguar nga linjat ajrore ekzistuese me tarifa të larta si Lufthansa, Air France, BA dhe Wizz. Nga e marta e ardhshme 31 tetor, kjo epokë e tarifave të larta përfundon”, deklaroi drejtori i kompanisë irlandeze.
Së dyti, a është e vërtetë që “Ryanair” i ka çmimet më të ulëta se Wizz?
Kompania irlandeze nis me 17 linja
Michael O’Leary, CEO i Ryanair, vizitoi dje Tiranën me ekipin e tij të shitjes dhe ekipin operacional për të promovuar fillimin e fluturimeve të Ryanair për në/nga Tirana, duke filluar nga e marta (31 Tetor). Në deklaratën zyrtare kompania irlandeze thotë se shtimi i destinacioneve të reja dhe trafikut në Shqipëri është penguar nga linjat ajrore me çmime të larta, por kjo epokë tashmë ka përfunduar.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, tha se “ardhja e një kompanie si Ryanair, një emër me kaq eksperiencë në industrinë europiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti dhe Praga”.
Ryanair ka nisur një fushatë promocionale 3-ditore në të 17 destinacionet e reja për/nga Tirana, me 50,000 vende që janë në shitje, duke filluar nga 14.99 euro, të cilat janë në dispozicion nga nëntori 2023 deri në mars 2023 (edhe pse këto vende duhet të rezervohen deri në 28 tetor direkt në faqen e internetit të ryanair.com).
O’Leary tha se oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 destinacione, dhe mbi 200 frekuenca javore tregon kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhëtime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turistëve në Shqipëri, si dhe për qytetarët shqiptarë gjithashtu.
“Si linja ajrore nr. 1 në Europë”, Ryanair beson se mund të japë rritje të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme të trafikut dhe turizmit, jo vetëm këtë dimër, por edhe për shumë vite të ardhshme në Shqipëri.
Sipas njoftimit për shtyp, për shumë kohë, shtimi i destinacioneve të reja dhe trafikut në Shqipëri është penguar nga linjat ajrore me çmime të larta. “Nga e marta e ardhshme më 31 Tetor përfundon kjo epokë e çmimeve të larta”. A e ta besojm ë këtë, apo do të ndodhë si gjithmonë, kur është përzënë një kompani dhe ka ardhur një tjetër që i ka zënë tregun. Kujtojmë këtu se si u zhdukën njëra pas tjetrës “Belle Air”, “Alba Wings”, “Fly Ernest” “Blue Panorama Airlines”.
Ryanair thotë se ka marrë prenotime rekord paraprakisht në 17 linjat e reja për në/nga Tirana, të cilat fillojnë javën e ardhshme në 31 tetor. Linjat e reja të Ryanair do të lidhin vendin me tregjet kryesore të vizitorëve në hyrje, duke përfshirë Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Kompania irlandeze beson se rritja e konsiderueshme e trafikut dhe turizmit do të stimulohet falë tarifave të pakrahasueshme ajrore të “Ryanair”, që më në fund ofrojnë konkurrencë për linjat ajrore me tarifa të larta, të cilat aktualisht dominojnë në Shqipëri.
Kompania tha se po punon me Qeverinë Shqiptare dhe “grupin Kastrati” për të eksploruar linja të reja drejt/nga Tirana, si dhe hapjen e linjave të reja drejt aeroporteve të tjera shqiptare gjatë 3 viteve të ardhshme.
Goditje Wizz Air-it?
“Besojmë se Shqipëria do të jetë një treg kyç në rritje për tarifat e ulëta të Ryanair,” deklaroi O’Leary. Fluturimet javore te Ryanair nga Tirana janë Londër, Milano, Romë, Bolonjë, Bruksel, Katania, Piza, Venecia, Paris, Bukuresht, Krakov, Mancester, Varshavë, Dyseldorf, Edinburg, Pragë, Stokholm.
Po të shohim tarifat e ofruara nga “Wizz” janë të njëjta dhe në disa raste më të ulëta se sa kompania “Ryanair”.
Sot në faqen zyrtare të “Wizz” publikohet ofertë për të prenotuar biletën drejt Nisës me 19 euro!
Ndërsa një reklamë tjetër e Wizz (kjo më poshtë) ofron bileta me 9 euro deri në mars 2024.
Pra, nëse qëndrojnë të dyja kompanitë në tregun shqiptar, është mirë, sepse ka konkurrencë. Por dyshojmë se “Kastrati” nuk ka interes të qëndrojnë të dy kompanitë. Oligarku i lidhur ngushtë me Kryeministrin, kontrollon në prapaskenë edhe koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit, ku njëri nga dy aksionerët ka qenë punonjës i “Kastrati Group”.
Plani ishte që Wizz të mbushte aeroportin e Kukësit me “çunat e Londrës” dhe qytetarët e Kosovës, por fluksi rezultoi i ulët. Në këto kushte, “Wizz” mori në dorë fluturimet nga Rinasi, ku llokma është e madhe sado të ulet çmimi.
Tashmë pazaret janë prishur dhe në skenë është futur kompania irlandeze. Kastrati i ofron zhdukjen e konkurrencës dhe kjo zbulohet nga deklarata e hapur e drejtorit të Ryanair, që shprehet se “përfundoi epoka e “Wizz”.
A është e besueshme “Ryanair”
Kompania irlandeze nuk është një engjëll që vjen të kursejë lekët e shqiptarëve. Në ekspansionin e saj përdor strategji dhe metoda që dëmtojnë konsumatorin. Nëse shohim informacionet nga Komisioni Evropian, mësojmë se “Ryanair” po lufton në gjykatë kundër heqjes së tarifave nga platformat dhe përmbajtje të tjera në faqet e saj e internetit. Theksojmë se Ryanair është në gjyq edhe me Booking.com.
Oferta e Booking për të marrë përsipër agjencinë e udhëtimit të fluturimeve online “E-traveli” është kthyer për hetim nga rregullatori i BE-së pas katër muajsh pezullimi.
Ndërkohë, pas një beteje ligjore 15-vjeçare, Lastminute.com po ecën përpara me një fitore. Lastminute.com e karakterizoi fitoren ligjore kundër Ryanair si “një moment historik i madh” për të drejtat e konsumatorëve.
“Konsumatorët që rezervojnë bileta ajrore shpesh joshen në faqet e internetit që reklamojnë “çmime të ulëta”, vetëm për të paguar më vonë tarifa dukshëm më të larta për bagazhet, rezervimin e sediljeve dhe shërbime të tjera”.
Ndërkohë, kompania që sjell “Kastrati” është një nga ndotëset më të mëdha të ambientit dhe është bërë objekt protestash. Këtë e tregon edhe videoja e mëposhtme ku tregohet se si e kanë pritur protestuesit ambientalistë shefin e “Ryanair” para një muaji në Bruksel.