Pas më shumë se 4 orësh, Dorian Duçka, një prej emrave që përmendet në skandalin McGonigal dhe që për disa kohë ka qenë këshilltar i jashtë i Kryeministrit Edi Rama, ka lënë godinën e SPAK.
Duçka ka shmangur komentet mbi atë se për çfarë është pyetur, por ka thënë se për çështjen McGonigal, gazetarët mund të pyesin vetë Departamentin amerikan të Shtetit.
Zyrtarisht SPAK nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me marrjen në pyetje të Duçkës, një personazh që vite më parë konsiderohej si një prej të besuarve të Ilir Metës, për shkak edhe të një lidhjeje farefisnore me të, ndërsa më pas trajtohej si një prej “këshilltarëve në hije” të Kryeministrit Edi Rama.
Dorian Duçka është një ndër personat e përmendur në dosjen amerikane të arrestimit të Charles McGonigal, ish-drejtori i Kundërzbulimit në zyrën e Nju Jorkut.