Ndeshjet e fundit të zhvilluara nga Partizani, duke nisur që nga fitorja ndaj Kukësit, te derbi, e më pas te fitorja me Erzenin, i kanë “ngrohur” tifozët e kuq dhe kanë rikrijuar idenë se Partizani mund të fitojë titullin e dytë radhazi, pasi deri më tani ka shfaqur ecuri bindëse.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Dorian Bylykbashi shprehet se të kuqtë duhet ta dominojnë këtë sezon të Superiores. Ish-fantazisti, që ka shkëlqyer me fanellën e kuqe, shprehet se Orges Shehi do të ishte zgjedhja e duhur për stolin e lënë bosh nga Zekiçi.
Si ju duk paraqitja e Partizanit në derbi?
Duke parë edhe mungesat që kishte, Partizani bëri një ndeshje shumë të mirë. Të gjithë lojtarët u panë të jepnin më të mirën në fushë. Gjithsesi, edhe Tirana pati rastet e saj dhe në tërësi ishte një ndeshje që u vendos nga ekipi, i cili gaboi më pak. Ishte një fitore e mundimshme, por e merituar, nga të kuqtë.
Çfarë tregoi ky derbi në raportin e forcës mes dy skuadrave?
Nuk mendoj se tregon shumë rreth kësaj, pasi derbet janë ndeshje, të cilat vendosen gjithnjë nga episodet. Të dyja ekipet e donin me patjetër këtë fitore. Vinin pas situatash të komplikuara dhe duke parë edhe fitoret e Egnatias dhe shansin e saj për t’u shkëputur, ishte si një hap i detyrueshëm për të mos ngelur pas. Fitoren e mori Partizani dhe në këtë mënyrë Tirana mbetet pak pas në renditje.
Më pas erdhi një fitore e vuajtur ndaj Erzenit. Mos e nënvlerësuan pak skuadrën shijakase?
E ndoqa edhe ndeshjen me Erzenin. Nuk mendoj se e nënvlerësuan, por kur vjen nga një derbi i fituar, ndeshja pasardhëse e humbet shkëlqimin dhe skuadra shkon me pak “mendjemadhësi” në lojë. Fatmirësisht, në fund arritën të shënonin, sepse tri pikët duhen në çdo ndeshje. Edhe Erzeni, edhe Tirana, vlejnë tri pikë.
Me grupin që ka Partizani, mund ta dominojë këtë edicion të Kategorisë Superiore?
Po, padyshim. Është një skuadër shumë e mirë dhe me gjithë këto mungesa po arrin të fitojë. Kur të kthehen të gjithë, do të jetë superiore ndaj ekipeve të tjera. Mendoj se Partizani e ka forcën dhe duhet ta dominojë kampionatin. Me lojtarët dhe emrat që hedh në fushë, kundërshtar për mendimin tim kanë vetëm veten e tyre. Duhet të kenë besim te forca e tyre, të mos bëjnë asnjë nënvlerësim dhe them se në fund do t’ia dalin me sukses. Në asnjë moment nuk duhet ta humbasin përqendrimin, siç ndodhi me Erzenin, që luante me 10 veta dhe desh i mori pikët.
Si e patë largimin e papritur të Zekiçit, pasi u duk një lëvizje mjaft e rrezikshme në këtë pikë të sezonit?
Këtë e dinë më mirë drejtuesit dhe vetë presidenti Demi, që i ka dhënë edhe “lejen” për t’u larguar, por për mendimin tim është e kotë që të mbash një trajner, i cili dëshiron të largohet. Gjëja më e mirë ishte edhe ajo që bëri klubi, e la të largohet kundrejt një shume të caktuar parash. Zekiç mund të rrinte, por ndoshta do të punonte si pa dëshirë. Ai është profesionist, por gjithnjë ka një hapësirë edhe për anën njerëzore
Orges Shehi dhe Robert Prosineçki janë dy kandidaturat më të përmendura deri më tani për stolin e Partizanit. Cili ju duket më i përshtatshëm?
Besoj se Orgesi do të ishte më mirë, për faktin se e njeh më shumë kampionatin shqiptar dhe kjo do të ishte ndihmë, pasi është shumë e vështirë që të emërohet një trajner, i cili nuk e njeh pothuajse fare ekipin dhe nuk ka kohën e duhur për të bërë atë që ai do. Orgesi është një njohës shumë i mirë i kampionatit tonë. Prosineçki është emër i madh, por në mes hyn njohja e kampionatit.
Nga të fortët e këtij sezoni, cili ju duket rivali më i rrezikshëm i Partizanit?
Në momentin që flasim, kampionati është shumë i vështirë. Me dy fitore hyn në katërshe dhe me dy humbje del nga kjo zonë. Të gjitha ekipet janë pranë me pikë dhe nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Egnatia po bën një kampionat shumë të mirë, pa ia mohuar vlerat fare. Është me meritë në krye. Partizani dhe Tirana janë gjithnjë aty dhe bashkë me Egnatian mendoj se do të shkojnë deri në fund.
Cili nga afrimet e verës ju ka bërë më së shumti përshtypje?
Bintsuka, që u kthye nga huazimi dhe nuk kishte luajtur më parë me Partizanin. Ai po bën shumë mirë dhe e ka zëvendësuar si duhet mungesën e një sulmuesi si Mba. Nga Grezda prisja diçka më shumë, të ishte një nga elementët kryesorë. Nuk e di gjendjen e tij fizike, por shpresoj të rikthehet në nivele të larta dhe të ndihmojë skuadrën, sepse është lojtar që i ka kapacitetet. Taipi është një lojtar, i cili e njeh kampionatin, po bën mirë, por ky nuk është maksimumi i tij.
Flasim pak për skuadrën e qytetit tuaj, Elbasani. Si ju duken dhe a mund të kthehen në Superiore këtë sezon?
Elbasani është një skuadër e ndërtuar për t’u kthyer në Superiore, pasi kanë ardhur emra me peshë. Shumica kanë luajtur vjet në Superiore. Kemi marrë Telushin, kapitenin e Partizanit, Hoxhajn, Karakaçin apo Hasanin. Janë shumë lojtarë, që mund të ishin edhe në Superiore. Ka vështirësitë e veta, sepse në ndeshjet jashtë ka “vuajtje”, pasi fushat nuk janë të gjitha në nivelin e duhur.
Elbasani ka shumë lojtarë që luajnë topin dhe kjo ndoshta ndikon pak në lojën e ekipit. Ka pasur pak luhatje në tri javët e fundit, por jam besimplotë që do ta bëjnë kthesën. Besoj se në fund skuadra do ta arrijë objektivin. Qytete si Elbasani apo Vlora duhet të jenë me patjetër në Superiore. Të mos harrojmë se Elbasani ka mbështetje të madhe të tifozëve, me “Tigrat Verdheblu”, që janë një ndihmë e madhe, një “luks”.