Gjatë seancës plenare të së hënës, kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, vuri në dukje mungesën e vullnetit real të qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit europian.
Sipas saj, rruga drejt BE-së po trajtohet më shumë si një ushtrim formal sesa si një reformë që prek jetën e përditshme të qytetarëve.
Ajo u ndal edhe te gjendja ekonomike e vendit, duke theksuar se sipas të dhënave të OECD-së, Shqipëria renditet e fundit në rajon në shumicën e treguesve kryesorë.
Në përmbyllje, Tabaku tha se procesi i integrimit duhet të jetë për shqiptarët dhe jo për fasadë politike.
Ajo bëri thirrje që Kuvendi të diskutojë seriozisht raportin e fundit të Parlamentit Europian dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar mungesën e standardeve, me zgjedhjet si një prej pikave kyçe që, sipas saj, po pengon realisht rrugën europiane të vendit.
Fjala e plotë
Të nderuar kolegë,
Sa vullnet dhe dëshirë ka mazhoranca për të zhvilluar diskutime në parlament dhe për të çuar përpara reformat, kjo duket qartë në sallat bosh, në mungesën e pjesëmarrjes në komisione dhe në varfërinë e agjendës parlamentare – një agjendë që sot nuk arrin dot të mbledhë katër veta për të diskutuar një ligj.
Mungesa e vullnetit politik nuk është vetëm për ligjet që lidhen me procesin e integrimit, por për çdo reformë që mund të ndryshojë Shqipërinë dhe ta bëjë atë një vend normal e të jetueshëm. Sepse për një vend europian as që bëhet fjalë.
Shumë kolegë me të drejtë ngritën shqetësimin se parlamenti po shkon gjithnjë e më larg realitetit, nëse ne këtu nuk diskutojmë çështje që lidhen me aktualitetin politik. Nëse nuk diskutojmë për zgjedhjet, për raportin e Parlamentit Europian, për standardet e munguara të Bashkimit Europian.
Raporti i fundit i OECD-së e vendos Shqipërinë të fundit në rajon për shumicën e treguesve – që nga infrastruktura, klima e biznesit, treguesit e të ardhurave, e deri te cilësia e shërbimeve publike. Sot, çdo qytetar shqiptar ka të ardhura vetëm 37% të mesatares së Bashkimit Europian. Produkti i brendshëm bruto për frymë është vetëm 20% i vendeve të BE-së.
Dhe ndonëse Shqipëria ka investimet më të larta në infrastrukturë në rajon, është e fundit për sa i përket standardeve, përfundimit të rrjetit kombëtar dhe lidhjes me rrjetin europian. Raporti i OSBE-së vlerëson se Shqipërisë do t’i duhen të paktën 15 vite për të përmbushur standardet minimale të rajonit në ujësjellës-kanalizime, energji dhe infrastrukturë.
E kuptoni sa larg ndodhet Shqipëria nga “pasaporta europiane”? E kuptoni sa prapa jemi në standardet e demokracisë, kur nuk arrijmë dot të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Kur sistemi i prokurimeve publike është jo transparent, jo eficient dhe aspak profesional?
Dhe në këto kushte, kur miratohen ligje që trumbetohen si të parat në rajon, pyesim: A duam një proces integrimi për ndryshime në letër apo për ndryshime për qytetarët? A duam ta përmirësojmë ekonominë apo thjesht të plotësojmë kritere në lista për të mashtruar se kemi bërë progres?
Opozita përpiqet të sjellë ndryshimin pikërisht për këtë arsye. Në çdo platformë dhe mundësi, ne ngremë zërin për standardet e munguara – në zgjedhje, në gjykata, në drejtësi, në prokurime publike, në të drejtat e njeriut.
Shqipëria është e fundit në rajon – kjo nuk është thënë nga opozita, por nga çdo raport ndërkombëtar. Faqen e Shqipërisë nuk e njollos opozita. Faqen e Shqipërisë e njollosin ata që kanë pasur mundësi të ndryshojnë vendin dhe nuk e kanë bërë.
Ata që kanë pasur mundësinë të organizojnë zgjedhje normale dhe nuk i organizuan. Ata që kanë pasur mundësinë të ndalin ikjen e të rinjve dhe të familjeve shqiptare – dhe nuk e ndalën.
Për këtë arsye, ky proces duhet të bëhet për çdo shqiptar. Për çdo familje që sot nuk e sheh dritën e shpresës këtu, por e kërkon jashtë. Nuk e sheh cilësinë e jetës, arsimit dhe shëndetësisë këtu, por në vendet e tjera.
Parlamenti shqiptar ka nevojë të ngrihet përtej ndasive politike dhe të pranojë të vërtetat. Ashtu siç shkruhen në raportet e Parlamentit Europian, ashtu siç shkruhen në çdo raport tjetër ndërkombëtar dhe ashtu siç i përjetojnë çdo ditë qytetarët shqiptarë.
Për fat të keq, ndër vite, kushdo që ka qenë pjesë e skenës politike ka vënë re standardet e munguara – mungesën e kontrollit dhe balancës së pushteteve, rolin e dobët të parlamentit në kontrollin e qeverisë, në ngritjen e komisioneve hetimore, në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Këto janë të vërteta që i njeh edhe Parlamenti Europian. Për këtë arsye, gjatë kësaj jave në Strasburg, do të diskutojmë për t’i bërë të ndërgjegjshëm të gjithë – europarlamentarët, Komisionin Europian, të gjitha palët e përfshira – se procesi i integrimit nuk mund të jetë thjesht marketing politik. Ai duhet të jetë ndryshim real për qytetarët, një ndryshim që me këtë qeveri nuk ka ardhur dhe nuk do të vijë.
Në emër të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, theksoj edhe njëherë nevojën për t’i parë të vërtetat ashtu siç janë, për të ndërtuar një alternativë dhe një ofertë ndryshe për qytetarët shqiptarë – një ofertë që nuk ka ardhur në tre mandate nga kjo qeverisje, dhe që me siguri nuk do të vijë as tani.
Aty ku qytetarët shqiptarë kishin shpresën, sot ajo nuk duket më – as te kolegët socialistë në sallë dhe as jashtë saj.
Shpresoj që javën e ardhshme të kemi një diskutim serioz për raportin përpara se të mbyllet ky sesion parlamentar dhe që në shtator të nisim me një rezolutë, ku çështja e zgjedhjeve të jetë pika e parë. Jo thjesht denoncimi, por marrja e masave konkrete për të adresuar këtë pengesë madhore për rrugën europiane të Shqipërisë.
Sepse nuk ka pengesë më të madhe për Shqipërinë sesa kjo qeveri. Nuk ka pengesë më të madhe sesa mungesa e vullnetit politik.
Ashtu siç nuk erdhi progres në këto 12 vite, harrojeni që do të vijë me këtë qeveri.
Faleminderit.