Një rrjet i organizuar i trafikimit të emigrantëve, që përdorte territorin shqiptar si pikë kalimi drejt Greqisë, është goditur nga policia greke në bashkëpunim me Europolin.
Operacioni është zhvilluar në Selanik dhe në rajonin e Thesprotisë, pranë kufirit me Shqipërinë, ku janë arrestuar 10 persona. Mes tyre ndodhet edhe një 33-vjeçare shqiptare. Shtatë të arrestuar janë shtetas grekë, ndërsa dy të tjerë sirianë.
Sipas autoriteteve, organizata kriminale ishte aktive të paktën që prej qershorit të vitit 2025 dhe dyshohet se ka organizuar 41 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, duke trafikuar më shumë se 500 emigrantë. Pjesa më e madhe e tyre vinin nga Nepali, Jemeni dhe Kina.
Emigrantët kalonin në këmbë nga Shqipëria drejt Greqisë, përmes shtigjeve të vështira malore. Pamjet e siguruara nga dronët e policisë tregojnë itineraret e përdorura për kalimin e tyre në zonat kufitare.
Pasi mbërrinin në Thesproti, emigrantët strehoheshin përkohësisht në banesa ose çadra të improvizuara. Anëtarët e rrjetit u siguronin ushqime, ujë dhe karta telefoni, të cilat ua shisnin me çmime shumë të larta.
Faza tjetër ishte transportimi i tyre drejt Athinës, Patrës dhe zonave bujqësore të Peloponezit. Atje, një pjesë e emigrantëve përfundonin duke punuar pa dokumentacion dhe sigurime shoqërore.
Në disa raste, trafikantët u merrnin pasaportat emigrantëve dhe i mbanin ato deri në shlyerjen e borxhit të krijuar për transportin, përmes punës së tyre.
Sipas hetimeve, fitimet e paligjshme të organizatës llogariten në të paktën 750 mijë euro.
Gjatë operacionit u arrestuan gjithashtu 21 emigrantë që nuk dispononin dokumentacion të rregullt qëndrimi. Policia sekuestroi automjete, telefona celularë, shuma parash dhe pasaporta.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.







