Peter Lucas/ Boston Herald
Gjithçka nisi me Ivankën.
Dhe mund të përfundojë me rrëzimin nga pushteti të kryeministrit prej shumë vitesh të Shqipërisë, Edi Rama, i cili prej kohësh ndodhet nën trysni, pas protestave të dhunshme në Tiranë, kryeqytetin e vendit, dhe gjetkë, që kanë përfshirë këtë vend të trazuar.
Ky vend i vogël në brigjet e Adriatikut, mes Greqisë dhe Malit të Zi, është anëtar i NATO-s dhe një aleat i fortë i Shteteve të Bashkuara.
Gjithçka nisi kur Ivanka Trump, vajza e presidentit Donald Trump, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, ndodheshin në një jaht pranë brigjeve të Shqipërisë dhe Ivanka «zbuloi» Sazanin.
Sazani, i pasur me fauna, është një ishull i braktisur që gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës shërbente si bazë ushtarake.
Ai ndodhet përballë qytetit bregdetar të Vlorës dhe pranë një gadishulli me lagunë dhe ligatina të mbrojtura, të pasura me biodiversitet, ku gjenden flamingo rozë, breshka deti, foka dhe një larmi e madhe shpendësh.
«Ishim në jahtin e një miku dhe ndaluam për të notuar», tregoi ajo. «Kështu e gjetëm. Notuam deri në ishull. U ngjitëm zbathur deri në majë dhe mbetëm krejtësisht të magjepsur.»
Aq shumë u magjepsën, saqë, pas një takimi me Ramën, kompania e investimeve private e Kushnerit, Affinity Partners, së bashku me investitorë arabë, propozoi një projekt zhvillimi prej 1.7 miliardë dollarësh për ta shndërruar ishullin dhe vijën bregdetare të mbrojtur në një resort luksoz — jo për shqiptarët, por për milionerët dhe miliarderët e huaj.
Rama, një socialist, është kryeministri më jetëgjatë në detyrë në Europë dhe ka kërkuar të ndërtojë një marrëdhënie të ngushtë me Trumpin.
Përpara se shqiptarët të merrnin vesh se çfarë po ndodhte, terreni politik ishte përgatitur tashmë për planet që do ta shkatërronin këtë zonë të pasur me jetë të egër, duke ndërtuar 10 mijë vila private, hotele, një marinë për jahte, rrugë dhe ura në territorin e mbrojtur.
Buldozerët u shfaqën dhe nisën pastrimin e terrenit. U ngritën gardhe. Banorët vendas protestuan dhe u përballën me forcën e rojeve private të sigurisë.
Në maj, kamerat televizive filmuan rojet e sigurisë duke keqtrajtuar protestuesit vendas, kur këta u përpoqën të rrëzonin gardhet e sapongritura, pa asnjë paralajmërim, që i pengonin të hynin në një tokë për të cilën dikur besonin se i përkiste popullit.
Kjo ndezi atë që më pas u bë i njohur si «Revolucioni i Flamingove», një lëvizje kundër Ramës dhe qeverisë së tij, që nisi madje përpara trazirave në Paris.
Brenda natës, mijëra protestues nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, të ngopur me korrupsionin e shfrenuar politik, vërshuan në bulevardin kryesor të Tiranës, duke mbajtur figura flamingosh prej kartoni dhe pankarta ku shkruhej: «Shqipëria nuk është në shitje» dhe «Ivanka, shko në shtëpi».
Që nga rënia e komunizmit, një brez më parë, Shqipëria është shndërruar në kryeqytetin europian të pastrimit të parave të drogës, një vend ku asgjë me rëndësi nuk bëhet pa ryshfete dhe pagesa nën dorë.
Ndërsa Revolucioni i Flamingove ishte kryesisht një lëvizje qytetare spontane, paqësore dhe jo e dhunshme, gjërat ndryshuan rrënjësisht kur studentët u kthyen në shkolla në fund të verës.
Studentët, përgjithësisht të ngopur me Ramën, koston e jetesës dhe korrupsionin qeveritar, morën në dorë Revolucionin e Flamingove dhe nisën të thyenin e t’u vinin zjarrin ndërtesave publike. Ata e duan Shqipërinë për shqiptarët, jo një vend për miqtë e pasur — dhe shpesh të korruptuar — të Ramës dhe për investitorët e huaj.
Protestuesit e mëparshëm, paqësorë, qëndruan në shtëpi, ndërsa studentët (dhe vandalet) e shndërruan protestën paqësore në trazira të dhunshme kundër qeverisë.
Megjithëse ndryshojnë në taktikat e tyre, të dy grupet duan që Rama, i cili ka qeverisur për 13 vjet, të largohet, të japë dorëheqjen.
Dallimi kryesor mes demonstratave në Paris dhe atyre në Tiranë, siç më vunë në dukje burimet e mia në kryeqytetin shqiptar, është mungesa e protestuesve xhihadistë myslimanë që marrin pjesë në trazira, si në Paris. Të vetmit flamuj që valëviten nga protestuesit në Tiranë janë flamujt e Shqipërisë, jo të Palestinës.
I pyeta nëse gjendja do të qetësohej po të ndërhynte presidenti Donald Trump dhe të bënte që Ivanka dhe Kushneri të hiqnin dorë nga planet e tyre të diskutueshme të zhvillimit, të cilat i ndezën protestat që në fillim.
Jo, m’u përgjigjën. Tani është tepër vonë për këtë. Rama dhe administrata e tij socialiste e korruptuar duhet të largohen.
Megjithatë, do të kishte qenë më mirë sikur Ivanka të kishte lundruar pak më në veri, drejt brigjeve të Kroacisë, ku ka më shumë ishuj për të «zbuluar», dhe t’i kishte lënë rehat shqiptarët.
Ajo e ndezi zjarrin.
Peter Lucas ka shkruar tre libra për Shqipërinë. Mund të kontaktohet në adresën: [email protected]







