Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, u gjet e vdekur një ditë më parë në banesën e saj në Florida të Jugut, në rrethana ende të paqarta.
Emri i saj u bë i njohur pas arrestimit të ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, me të cilin ajo pohoi se kishte qenë në një lidhje. Guerriero deklaroi se kishte informuar autoritetet amerikane mbi aktivitetet e McGonigal dhe në dëshmitë e saj foli edhe për Shqipërinë, veçanërisht për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama dhe takimet mes tyre.
Më 27 gusht, Guerriero publikoi rreth 75 postime në X, ku rikthehej te Charles McGonigal dhe pretendimet e saj për mënyrën se si FBI-ja kishte trajtuar çështjen. Ajo kërkonte që vëmendja të mos përqendrohej vetëm te McGonigal, por edhe te persona të tjerë që, sipas saj, kishin rol në historinë që ajo pretendonte se kishte dokumentuar.
Në disa prej postimeve, Guerriero përmendi edhe persona të tjerë që, sipas saj, kishin lidhje me çështjen McGonigal.
Në një prej tyre, ajo përmendi Douglas Leff, ish-zyrtar i lartë i FBI-së, dhe kërkoi që ai të burgosej.
“Nëse do të isha Mbreti i Botës, do ta shëtisja Douglas Leff me një kapelë festive në Bronx dhe do të sigurohesha që çdo kanal të ishte i bllokuar si më 11 shtator dhe pastaj e vetmja gjë që dikush do të shihte ndonjëherë në TV do të ishte Doug Leff të shkonte në burg aty ku i takon! (Me SHUMË njerëz të tjerë!!!)”, shkruante Guerriero.

Më pas, në një tjetër shkrim referuar sërsih Doug Leff, Guerriero pyet: “A e ka investiguar dikush Douglas Leff?”.

Në një tjetër postim, ajo përmendi kongresmenin Jim Jordan dhe ish-agjentin e FBI-së, Steve Friend, në lidhje me pretendimet e saj për çështjen McGonigal. Guerriero pretendoi se i kishte dërguar Jordanit, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, dy deklarata zyrtare si whistleblower, por se ai nuk i ishte përgjigjur dhe i kishte kthyer korrespondencën.
Ndërsa për Steve Friend, ish-agjent i FBI-së dhe whistleblower, Guerriero tha se synimi i saj ishte të bëhej një “shqetësim” edhe më i madh për FBI-në se ai, duke deklaruar se, nëse do të vdiste duke qenë një kundërshtare edhe më e fortë e institucionit, do të mund të “prehej në paqe”.
“E mbani mend kur Jim Jordan premtonte në janar 2023 se do të kishte seanca dëgjimore publike për çështjen Charles McGonigal? Po, as unë. E mbani mend kur Jim Jordan, i cili kishte detyrim ligjor të fliste me mua, më ktheu çdo korrespondencë, si edhe DEKLARATËN TIME ZYRTARE SI WHISTLEBLOWER, e cila ishte në duart e tij? Dhe pikërisht kjo është ajo që përmban detajet e vërteta. A më telefonoi? Po, as kjo nuk ndodhi.
Unë nuk kam komunikuar kurrë me Jim Jordan dhe do të doja të dija pse. Gjithmonë kam thënë se qëllimi im në jetë tani është të jem një shqetësim edhe më i madh për FBI-në sesa Steve Friend. Nëse vdes duke qenë një dhimbje edhe më e madhe për ta sesa ai, atëherë më në fund do të mund të prehem në paqe…”, shkruante Guerriero.

Në një tjetër postim, Guerriero sulmoi FBI-në, duke shkruar: “FBI-ja është e keqe.”

Postimet e Guerrieros janë bërë publike ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat e vdekjes së saj. Deri më tani, nuk ka të dhëna publike që të lidhin deklaratat e saj ndaj FBI-së apo personave të përmendur me vdekjen.







