Historiani Auron Tare ka reaguar në lidhje me rastin që u bë viral në Sarandë, ku një përfaqësues i bashkisë së qytetit (Muçi) i kërkon faturë tatimore shitëses (Bardha) për rigonin e mbledhur ne mal.
Në një reagim në rrjete sociale, teksa ironizon mes rreshtash rastin, Tare shkruan se kjo është një pasqyrë e qartë dhe realiste e injorancës dhe pa aftësisë totale të administratës sonë.
Duke sjellë Në vëmendje një rast të ngjashëm të regjistruar mes Muçit dhe një peshkatari (Lutit) të cilit i është kërkuar faturë tatimore për peshqit e peshkuar me grep, Tare thotë se përfaqësuesit e institucioneve shtetërore kërkojnë llogari për gjëra që llogjika i quan absurde ndërsa shton se këta të fundit duhet të mësojnë ligjin.
Reagimi i plotë i Tares
Video e Bardhës, shitëses së njohur të tregut të perimeve në Sarandë që debatonte me Mucin përfaqësuesin e Bashkisë së Qytetit u bë virale. Kushdo që e pa u habit nga argumentimi i Mucit i cili pak më parë kishte pasur të njëjtin debat me Lutin, një peshkatar i cili prej dekadash me një varkë me kupi del në det dhe gjuan peshk me grep.
Argumenti i Mucit se si Bardha duhej të kishte qese me etiketë se nga dhe prej cilit Mal vinte rigoni ishte i njëjtë edhe për Lutin i cili duhej tu vinte etiketë peshqve që kapte cdo ditë me fillo. Po kështu edhe Rigoni i Malit edhe Peshku i kapur në det me grep duhet të kishin faturë tatimore.
Që Bardha apo fshatarët e zonës kanë vite qe mbledhin në mal rigon, caj, lakra të egra e kështu me rradhë këtë e di gjithë qyteti. Këtë e di edhe Muci që si rigonin si peshkun e fresket e blen te Bardha apo tek Luti. Mirëpo dje Muçi i cili përfaqëson institucionin shtetëror kërkonte llogari përpara kamerave për një gjë që llogjika e quan absurde.
Sot Tatimet me sa lexova në shtyp, e kishin quajtur pretendimin e Muçit për Rigonin dhe peshkun me fillo, të pa bazuar në Ligj dhe të pa argumentuar në asnjë urdhëresë apo vendim.
Në këtë mënyrë Muçi që përfaqëson Bashkinë e Sarandës duket se nuk di apo nuk ka lexuar Ligjin dhe në kundërshti si me Logjikën e qytetarëve si me Ligjin e Tatimeve ju hakërrua kot edhe Bardhës edhe Lutit.
Në fakt performanca e Muçit në TV është një pasqyrë e qartë dhe realiste e injorancës dhe pa aftësisë totale të administratës sonë. Prandaj i sugjeroj z Muçi se si një punonjës në Bashkinë e Sarandës duhet te lexoje Ligjin dhe pas kësaj do ishte e udhës që ti kërkojë një ndjesë të madhe si Bardhës ashtu edhe Lutit.








