Një re e madhe tymi ka përfshirë pasditen e sotme periferinë e Elbasanit, duke ngritur shqetësime për ndotjen e mjedisit dhe rrezikun për shëndetin e banorëve.
Pas orës 17:00, tymi është ngritur në lartësi të mëdha dhe është përhapur në një zonë të gjerë, duke u bërë veçanërisht i dukshëm në zonën e Bradasheshit. Banorët raportojnë për një aromë të rëndë dhe mbytëse, ndërsa situata ka shtuar shqetësimin për cilësinë e ajrit.
Dyshimet paraprake lidhen me djegien e gomave të përdorura, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e zjarrit apo vendndodhjen e saktë të vatrës.
Përhapja e tymit dhe dendësia e tij ngrenë pikëpyetje mbi përmasat e mundshme të ndotjes dhe ndikimin që mund të ketë në shëndetin e qytetarëve dhe në mjedisin përreth.







