Policia e Gjirokastrës ka zhvilluar një operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore, duke vënë në pranga një 29-vjeçar dhe duke nisur procedimin penal për një 22-vjeçar.
Aksioni, i koduar “Final Sale”, u zhvillua në kuadër të planit operacional “Shkolla të Pastra”, që synon parandalimin dhe goditjen e shitjes së drogës pranë ambienteve shkollore.
Sipas njoftimit të policisë, dy të rinjtë, banues në Gjirokastër, u kapën në flagrancë pranë dy shkollave të qytetit, ku iu gjetën sasi kanabisi të ndara në doza, të dyshuara për shitje.
Në përfundim të operacionit, efektivët arrestuan shtetasin me inicialet K.K., 29 vjeç, ndërsa 22-vjeçari O.Ç. u procedua penalisht.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale lëndën narkotike, një automjet dhe dy telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve në kuadër të hetimit.
Operacioni u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.







