Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka ngritur shqetësime për përdorimin joproporcional të forcës nga Policia e Shtetit ndaj gazetarëve dhe protestuesve.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pas dorëzimit të raportit të progresit të Komisionit Europian, diplomatja europiane theksoi se raportimet për përdorim joproporcional të forcës ndaj gazetarëve duhet të trajtohen si çështje prioritare.
Ambasadorja theksoi se protestat janë pjesë e jetës demokratike, ndërsa dënoi dhunën dhe nënvizoi se çdo reagim i autoriteteve ndaj akteve të dhunshme duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin.
“Sa i përket lirisë së medias, shpifja është dekriminalizuar pjesërisht. Ky është hap në drejtimin e duhur, por nuk mjafton në vetvete. Raportimet për përdorim jo proporcional të forcës nga policia ndaj gazetarëve duhet të trajtohet si çështje prioritare. Sa i përket mjedisit, përparimi ka qenë i kufizuar. Ndryshimet e vitit 2024, në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjet e përsëritura për investimet strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Dispozitat që bien ndesh me njëra tjetrën duhet të shfuqizohen ndërsa projektet madhore, përfshirë Zvërnecin, do të vlerësohen kundrejt standarteve të BE. Ishin shqetësimet paqësore që nxitën protestat paqësore në fund të muajit maj. Protesta u shndërrua në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftën kundër korrupsionit. Protestat janë pjesë e jetës demokratike, por dhuna nuk ka vend. Çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Pakënaqësitë të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë”, deklaroi ambasadorja e BE-së.







