Fiks Fare ka bërë një investigim brenda institucioneve shtetërore, mbi pushtetin e Belinda Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe pse është shkarkuar nga funksionet publike.
Fiks Fare hyri në disa prej këtyre institucioneve, u prezantua si punëkërkuese dhe bisedoi drejtpërdrejt me titullarët.
Dhe në këto biseda, emri i Belinda Ballukut del përsëri në qendër: si “shefe”, si person që mund të ndikojë në emërime, në punësime dhe në vendimmarrje.
Fiks Fare solli dëshmi, biseda dhe përballje direkte me Belinda Ballukun.
“Nëse Bela e çon emrin…”
Investigimi nis në Autoritetin e Aviacionit Civil, ku gazetarja e Fiks Fare kontakton drejtorin Maksim Et’hemaj, duke shprehur interes për një vend pune në sektorin e medias. Gjatë bisedës, Et’hemaj flet për punonjësen aktuale të medias dhe e lidh atë me Belinda Ballukun.
Sipas tij, nëse ajo do të zëvendësohej dhe në vend të saj do të vinte një person tjetër, kjo do të ishte thjesht çështje emrash, duke lënë të kuptohet se një propozim nga Balluku do të merrej në konsideratë. Por pse do të kishte rëndësi sot një emër i propozuar nga një ish-ministre?
“Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja”
Fiksi shkon më tej, në Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Edhe këtu skenari është i njëjtë: kërkesë për punësim. Drejtori Sokol Zajmi shprehet:
“Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja.” Më pas ai përdor edhe një tjetër shprehje: “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot.” Por kush është “shefja” dhe kush është “mbretëresha”? Në kontekstin e bisedës së regjistruar nga Fiks Fare, referenca lidhet me Belinda Ballukun.
Gazetarja e Fiks Fare teksa bisedon me drejtorin Rrapush Tola, sërish për mundësinë e punësimit, ky i fundit zbulon se “Belinda Balluku ka vendosur Enea Karakaçin në krye të ministrisë”.
Ndër të tjera, drejtori i AKBN-së Genci Tërpon ka konfirmuar se ka takuar Belinda Ballukun në fund të muajit gusht. Gjatë bisedës, ai pranon “t’i përcjellë të fala”.
“Belinda Balluku e ka vënë Enea Karakaçin”
Investigimi vijon në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera. Gazetarja e Fiks Fare bisedon me drejtorin Rrapush Tola, sërish për mundësinë e punësimit.
Gjatë bisedës, Tola pretendon se Belinda Balluku ka vendosur Enea Karakaçin në krye të ministrisë dhe se një sinjal prej saj mund të ndikonte edhe në mundësinë e punësimit të gazetares. Një deklaratë që ngre një tjetër pikëpyetje: Nëse ministri aktual është në detyrë, përse një drejtues institucioni e lidh ende autoritetin e tij me ish-ministren?
Këshilltari i Ballukut ende në ministri
Fiksi vijon investigimin brenda vetë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Gazetarët kontaktojnë Flor Serjanin, ish-këshilltarin e Belinda Ballukut, i cili vijon të mbajë detyrë në ministri. Gjatë telefonatës, ai konfirmon se është ende në detyrë, ndërsa thotë se merret edhe me PR-in e Belinda Ballukut.
Më pas, në një takim të zhvilluar në ambientet e ministrisë, Serjani flet për drejtuesit e agjencive në varësi të MIE-së. Sipas tij, drejtuesit janë vendosur me ndërhyrjen apo sugjerimin e Belinda Ballukut. Ai përmend edhe drejtuesin e AKBN-së, duke thënë se Balluku e ka sugjeruar atë. Por dëshmia shkon edhe më tej. Serjani tregon se është takuar me Belinda Ballukun vetëm dy ditë përpara bisedës me gazetaren e Fiks Fare.
Drejtori i AKBN-së: “Do t’i çoj të fala”
Pas kësaj dëshmie, Fiks Fare kontakton Genci Tërpon, drejtorin e AKBN-së. Tërpo konfirmon se ka takuar Belinda Ballukun në fund të muajit gusht. Gjatë bisedës, ai pranon t’i përcjellë të fala dhe shprehet se do të shohë situatën për mundësinë e punësimit të gazetares. Edhe një tjetër drejtues institucioni, pra, e lidh vendimmarrjen me një person që zyrtarisht nuk e mban më postin e ministres. Top Channel







