‘’ÇDO COPË HEKURI KA NJË HISTORI PËR TË TREGUAR KUR DEL NGA DUART E NJË NALLBANI’’
Kësaj thënie i jep edhe më shumë jetë personazhi ynë i cili edhe në ditët e sotme vazhdon të ushtrojë profesionin gati në zhdukje atë të veshjes së kuajve me patkonj.
Zoti Krenar Behluli 59 vjeç jeton në fshatin Borje të Kukësit ku jo vetëm banorët e fshatit të tij por edhe ata të fshatrat përreth e njohin si nallbanin më të mirë të zonës. Që nga fillimi i vitit 2000 deri në vitin 2005 ai i ka punuar patkonjtë me dalt dhe çekiç të cilët do ua mbathte kuajve duke plotësuar kështu 20 vite të plota nën zanatin e nallbanit.
Zanat të cilin ai e ka të trashëguar nga gjyshi dhe babai i tij. Ambientin e tij të punës e ka të përshtatur jo shumë larg shtëpisë së tij. Hapësira e mëposhtme ku mbahet kali dhe pak më lart një dhomë e vogël e kthyer në punishten për prodhimin e patkonjve dhe ruajtjen e veglave të nevojshme.
Sapo të zbresësh një minidyshezë të vogël gjëja e parë që shikon janë dy kangjella hekuri dhe zinxhirët. Nga ana tjetër tek-tuk shikon edhe disa vegla të cilat i ka përdorur në mëngjesin e sotëm pasi ka pasur një kliënt që në orët e para të ditës.
Zoti Krenar shpjegoi se tani është periudha e verës dhe fshatrat si i tiji e të tjerët përreth në këtë kohë dalin në mal e mbledhin bimë medicinale për tregti në Kosovë dhe për këtë sigurisht që si për rrugët por edhe për mbajtjen e thasëve ata përdorin kuajt. Një parafrazim i vogël i cili të lë të kuptosh se përse një nallban nuk ka një orar fiks dhe të caktuar për punën e tij.
Sipas nallbanit tonë atë e gjen në çdo orar nqs do kishte punë njësoj siç ka pasur 10 vite më parë.
Por edhe pse mbase fluksi nuk është më i njëjtë si dikur pasioni i tij për ti qëndruar besnik patkoit, kuajve dhe klientit nuk është venitur nën peshën e kohës. Për të mos thënë tani është bërë edhe më i fortë se dikur mbase edhe për shkak të frikës se një ditë ai nuk do e bëj këtë punë më. Që qartaz jo nga mungesa e dëshirës por nga mos kërkesa dhe nevoja për të.
Ai më shpjegoi se nqs para 10 vitesh kishte 20 kuaj në ditë, tani më e shumta e mbyll ditën me 3 ose 4 kuaj.
‘’Shpia nuk mbahet vetëm me mbathje kuajsh se nuk ke hesap në dit të sodit.’’
Për të qenë transparentë minibiseda e parë e cila u përkon rrjeshtave më lart ishte sa e pastër po aq edhe e ngrohtë nga ana e tij. Kur u nisa në fillim për të takuar zotin Krenar e kisha të ndarë në kokën time idenë se do takoja një nallban i cili do më tregoj për një ditë pune të tij.
As s’më shkonte ndërmend se personazhi në fjalë do të ishte kaq kompleks në mënyrën më interesante të mundshme dhe një kombinim profesionesh në një njeri të vetëm .
Krenar Behluli i ka mbaruar studimet e tij për teknik-gjeolog në vitet (’79-‘82) dhe deri në ‘92 ka punuar gjeolog ku më pas ka marrë rrugët e emigrimit dhe ka punuar si arkitekt në Kroaci . Një tjetër pasioni i tij të cilin nuk heziton ta fsheh atë të pikturës dhe vizatimeve. Gjë e cila siç shprehet edhe sot akoma piktura i flen në zemër.
Një background plot ngjyra i tiji që do përpiqem ta shpalos në mënyrën sa më delikate të mundshme. Pas kthimit nga emigrimi plani prioritar nuk ka qenë të bëhej nallban edhe pse e zotëronte më së miri zanatin. Anash hapësirës së punës ku ai i lidh kuajt për ti veshur patkonjt syrin ta merr një ndërtesë e lartë që për të nuk egziston fjala kohë aq e vjetër sa është ajo.
‘’Ktu anash shif gurt janë pak të grrym , asht se atëherë ktu e thejsha hekurin me ba patkonjt, pranaj kan mbet shenjat.’’
Ai më shpjegoi se në një mënyrë fikse të mirëfilltë puna u hap për të gjithë pasi ai bleu makinerinë e parë e cila I kushtoi 170 euro , për punimin e hekurit.
Në formën më modeste të mundshme e pyes po një nallban çfarë e bën atë profesionist?
E bëjnë veglat dhe përkushtimi për kafshën. Si një nallban për sa ju përket veglave dhe mjeteve ai e di se cila është masa e duhur për patkonjt e kalit, sa më i mirë të lidhet aq më mirë punohet te thundrat e tij dhe si një profesionist ai e ka të lehtë procesin e punës të cilin me shumë kujdes e mbyll për afërsisht brenda 30 minutave.
Ndërsa përkushtimi për kafshën e sjell atë edhe nën mantelin e një veterineri gjithashtu.
Vitet e tij të punës e kanë bërë të kuptojë se kali është një kafshë intuitive dhe shqisën e të nuhaturit e ka shumë të fortë. Nëse kalit ai do ti afrohet me të egër ai nuk i bindet duke ja vështirësuar procesin e lidhjes së këmbëve por edhe duke rrezikuar për goditje nga ana e tij .
Përveç kësaj sipër kokave tona ndodhej një çati e improvizuar të cilin ai e krijuar që kali të mos e lagte shiu por edhe të mos e bezdis dielli. Si veteriner ai shpjegon se thundrat e kalit priten me kujdes deri në pikën që të mos e dëmtojë kafshën që të ndjej dhimbje por e nëse ndodh ai përdor vaj gurin dhe duhan për ta shëruar metoda të cilat ai I quan sekretet e arta të zanatit.
Apo se këmbët e para janë gjithmonë një numër më i madh se këmbët e pasme .Ose nqs kali ka ndrydhur këmbën me anë të një monedhë hekuri ai mund t’ia rregullojë këmbën. Një ndër veglat më të vecanta të tijat ai mban edhe një bisht lope të tharë të cilin e përdor për ti trembur mizat nqs i afrohen kalit. Këtë gjë e din vetëm nallbanët një tjetër sekret i vogël i zanatit siç shprehet ai.
Meqenënse po më fliste për kuajt dhe natyrën e tyre nën tregime e sipër zoti Krenar rrëfen se kali është sa kafshë fisnike por aq edhe shtresë e lartë. Sipas tij në një fshat kaq të vogël klasat shoqërore ndahenshin edhe nga kafshët që zotëronin dhe kush kishte kal sgurisht që ishte një familje e pasur. Rregulla të pashkruara por që cdokush i dinte.
Zanati e kishte bërë të jetë I gjithanshëm duke njohur kështu edhe rracat e kuajve të cilat I kanë rënë ti punojë e ti mjekojë ndër vite. Liston kështu kali kuq ose Dori (në gjuhën gollobordase) që përkthehet flori .
Kali I bardhë (çalamlli) i cili përkthehet i pastër dhe kali kaf I cili është 1 në 1000 kuaj dhe është një ndër më të vecantit, një rrac e cila që nga ajo kohë e deri tani ai nuk kishte patur fatin ta punonte.
Një fakt të cilin teksa e rikujton i duket sikur do i mbetet edhe si peng.
‘’Me fol drejt kurr smka ra me e vesh ni kal kaf, thojke baba gjithmonë si ato ska.’’
Nallbani ynë ka edhe një dyqan të vogël ushqimoreje të cilën ja ka hap i biri. Djali I tij ndodhet në Gjermani por zoti Krenar ia ka trashëguar zanatin si nallban para se të ikte, gjë për të cilën ndihet shumë krenar që e ka bërë.
‘’I thosha ti vec shif , se zanatin e vjedh kollaj.’’
Nuk mund të lë pa përmendur faktin se në dyqan ndodhej makina të cilën ai më tha se e kishte blerë në Kroaci dhe akoma e ruante si sytë e ballit .
Zoti Krenar është një miksim i shumë profesioneve në një , por edhe shembulli më i pastër I një njeriu plot zell për punën. Biseda jonë e gjeti fundin e saj brenda në dyqanin e tij teksa më thoshte së sido ti vijë jeta ai është I kënaqur me çdo gjë që ai ka pasur dhe I ka dhënë zoti deri më tani.
Dyqani i vogël e ndihmon të ndihet i plotësuar ekonomikisht por i vetmi vend në të cilin ndihej vetvetja ishte pikërisht atje posht tek minidysheza dhe punishtja e tij. Atje poshtë i veshur me rrobat e punës , mban një kapele kashte stil kaubojsi, ai ndihet mjeshtri i patkonjve bënte dhe vazhdon të bëj punën të cilën me plot kujtime dhe krenari së bashku nën shilarëset e kohës u rritën dhe po plaken dalë nga dalë./Ergisa Murataj/