Një i ri shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në Bruksel, pranë Parlamentit Europian.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Ixelles, në rrugën Wiertz, ku viktima u qëllua disa herë me armë zjarri.
Sipas mediave belge, dëshmitarët kanë raportuar se kanë dëgjuar të paktën shtatë të shtëna. I riu u transportua në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja. Dyshimet e para të hetuesve lidhen me një larje hesapesh në botën e narkotikëve.
Mediat belge raportojnë gjithashtu se të dyshuarit për vrasjen e shqiptarit mund të jenë të përfshirë edhe në ekzekutimin e një polici belg, 41-vjeçarit Nordine El Talbi, i cili u vra disa orë më vonë në Jette.Në kuadër të hetimeve janë arrestuar disa persona në Belgjikë, Spanjë dhe Francë. Autoritetet po punojnë për të zbardhur motivet e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit të dyshuar.
Identiteti i viktimës shqiptare nuk është bërë ende publik.







