Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tre persona, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe moskallëzim krimi, pasi dyshohet se mashtronin shtetas të huaj përmes një Call Center-i, duke u premtuar rikuperimin e parave të humbura në skema të mëparshme mashtrimi online.
Sipas Prokurorisë, shtetasit me iniciale K.S. dhe F.K. akuzohen për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa shtetasi E.A. për “Moskallëzim krimi”.
Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një ambient në rrugën Zalli, në Selitë, ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i paligjshëm i një Call Center-i. Gjatë kontrolleve të kryera nga autoritetet, në zyrat e përshtatura për këtë aktivitet u gjetën tre të akuzuarit, së bashku me punonjës të tjerë.
Sipas dosjes hetimore, K.S. dhe F.K. rekrutonin dhe trajnonin punonjësit, të cilët kontaktonin shtetas të huaj duke i bindur se mund t’u rikuperonin paratë e humbura në mashtrime të mëparshme, përmes një skeme të njohur si “Recovery”.
Nga hetimet rezultoi se agjentët merrnin informacion të detajuar nga viktimat mbi mënyrën se si kishin humbur paratë dhe kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar më parë. Më pas, klientëve u caktohej një takim me të ashtuquajturin “ekspert”, ndërsa komunikimet e mëtejshme menaxhoheshin nga K.S. dhe F.K.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria vendosi dërgimin në gjyq të K.S. dhe F.K. për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa E.A. do të gjykohet për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.
Njoftimi
Mashtronin të huajt si të rifitonin paratë e humbura në ‘Call Center’, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasit K.S., F.K. dhe E.A.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.S., F.K. dhe E.A., të akuzuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe ‘Moskallëzim krimi’ parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 300 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.8513 viti 2025, të nisura nga informacionet e marra në rrugë operative për një ambient në rrugën Zalli, Selitë, kati i 2, ushtrohet aktiviteti i paligjshëm i ‘call center’, janë kryer veprimet procedurale me iniciativë dhe brenda ambienteve janë gjetur të akuzuarit dhe persona të tjerë të ulur në postet e përshtatuara si zyrë.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se shtetasit K.S. dhe F.K. kanë qenë personat që kanë rekrutuar punonjësit. Këta shtetas shpjegonin procesin e punës, i cili kishte të bënte me bindjen e shtetasve të huaj për të rifituar përsëri paratë e humbura (Recovery).
Hetimet zbuluan se agjentët merrnin informacione nga klientet për situatën e tyre të humbjes së lekëve dhe jepnin zgjidhjen për kthimin mbrapsht të tyre. Ata informoheshin për gjendjen e klienteve, në çfarë situate ishin, sesi i kanë humbur lekët dhe më çfarë kompanish kanë bashkpunuar më përpara. Më pas klienteve iu linte takim me ekspertin për shqyrtimin e ngjarjes dhe vazhdimësinë e telefonateve të tyre i merrnin në shqyrtim shtetasit K.S. dhe F.K.
Sa më sipër u bë arrestimi i shtetasve K.S. dhe F.K., dhe dërgimi në gjyq i tyre për veprën penale ‘Mashtrimi kompjuterik’, ndërsa shtetasi E.A. për veprën penale ‘Moskallëzim i krimit’








