Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në përmbushjen e reformave dhe avancimin e negociatave të anëtarësimit.
Gjatë një fjale në Parlamentin Europian, Kos bëri të ditur se Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj negociues, ndërsa vijon punën për përmbushjen e kritereve të nevojshme edhe në kapitujt e tjerë.
Ajo nënvizoi se objektivi i Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 është ambicioz, por i realizueshëm, nëse vendi ruan ritmin aktual të reformave.
Megjithatë, komisionerja europiane theksoi se Shqipëria duhet të përqendrohet më shumë në disa fusha kyçe, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, lirinë e medias dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Një tjetër prioritet i rëndësishëm, sipas saj, mbetet mjedisi, ku kërkohet përparim i mëtejshëm.
Marta Kos theksoi se këto reforma nuk duhet të shihen vetëm si kushte për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por si nevoja të drejtpërdrejta për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Ajo vlerësoi ritmin e zbatimit të reformave si tregues të angazhimit të Shqipërisë për integrimin europian, por nënvizoi se vijimi i përpjekjeve është thelbësor për të arritur objektivin e vitit 2027.








