Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me incidentet e ndodhura në një ndeshje të kampionatit të Maqedonisë së Veriut, ku sipas tij pati fyerje me bazë nacionaliste dhe raciste ndaj futbollistëve dhe stafit të KF Bashkimi 1947.
Balla shprehet se, si dashamirës i futbollit dhe si deputet, ndjen shqetësim të thellë për ngjarjen dhe dënon ashpër thirrjet kundër shqiptarëve, të cilat i cilëson si shumë të rënda.
“Thirrjet kundër shqiptarëve ishin shumë të rënda dhe po aq të rënda duhet të jenë masat e ndëshkimet e ndërmarra nga Federata e Futbollit në vendin fqinj,” – shkruan ai.
Në reagimin e tij, Balla bën edhe një paralelizëm me solidarizimin e futbollit europian dhe botëror ndaj lojtarit të Real Madrid, Vinícius Júnior, pas episodeve raciste ndaj tij, duke theksuar se i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për futbollistët dhe stafin e KF Bashkimi 1947.
“Do të jetë gabim i pafalshëm nëse në Maqedoninë e Veriut mbyllen sytë ndaj kësaj ngjarjeje,” – thekson deputeti.








