Operatorët e transportit publik paralajmërojnë reduktimin e mjeteve në qarkullim nëse qeveria nuk u jep një përgjigje për pagesën e kompensimit të karburantit deri në fillim të javës së ardhshme.
Përfaqësues të sektorit, duke folur për News24, kanë ngritur shqetësimin për vonesat në disbursimin e fondeve për muajt mars, prill dhe maj, duke deklaruar se situata po rëndon financat e kompanive. Sipas tyre, dokumentacioni për përfitimin e kompensimit është dorëzuar, por pagesat ende nuk janë kryer.
Skema e miratuar nga qeveria parashikon kompensim prej 50 lekësh për çdo litër karburant për operatorët e transportit publik. Shoqatat Kombëtare të Transportit Urban dhe Interurban u janë drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, pushtetit vendor dhe Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar sqarime për vonesat dhe një afat konkret për kryerjen e pagesave.
Operatorët thonë se, pavarësisht mungesës së fondeve, kanë vijuar aktivitetin duke përballuar vetë kostot, ndërsa çmimi i karburantit mbetet i lartë. Përveç pagesës së detyrimeve për tre muajt e kaluar, ata kërkojnë që kompensimi të vijojë edhe pas muajit maj.
Nëse nuk do të ketë një zgjidhje, operatorët paralajmërojnë uljen e numrit të autobusëve në qarkullim. Një masë e tillë pritet të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët, duke sjellë më pak mjete, frekuencë më të ulët të linjave dhe kapacitet të reduktuar të transportit publik.
Shoqatat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për shlyerjen e kompensimit të miratuar dhe vazhdimin e mbështetjes financiare për sektorin.







