Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit, të dyshuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Efektivët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari.
Nga veprimet hetimore dyshohet se dy punonjësit e policisë i kanë kërkuar dhe marrë qytetarit një shumë prej 20 mijë lekësh, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore.
Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet A. S., 20 vjeç, me gradën inspektor, dhe Xh. F., 23 vjeç, gjithashtu me gradën inspektor. Dy punonjësit dyshohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.








