Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të shkallës së parë për një grup të akuzuarish, Gjergj Cukali, Florian Abazi, Paris Prenga dhe Edmond Jamaku, për vepra të rënda penale.
Cukali ishte dënuar me 25 vite burg, vendim i cili u la në fuqi. Shoku i Emiljano Shullazit, akuzohet se ka vënë tritol ndaj makinës së biznesmenit Gjon Mena.
Ndërkohë, Blendi Dedën u dënua me 18 vite burg për tentativë vrasjeje me dashje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit A.B. Gjykata bashkoi dënimet e tij në një të vetëm prej 18 vitesh.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 09.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 14 akti, datë 21.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga të pandehurit Gj.C., E.J., E.J., B.D., P.(B.)P., dhe F.B., ndaj vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
- Në aplikim të nenit 28/7 të K.Penal të pandehurit E.J. në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i ulet dënimi dhe përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vite burgim.
- Dënimin e të pandehurit B.D. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, në dëm të shtetasit A.B., mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 76-22-28/4 të K.Penal dhe në zbatim edhe të nenit 334/1 të K.Penal, me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
- Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit B.D. me një dënim të vetëm prej 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
- Shpenzimet gjyqësore edhe për gjykimin në nivel apeli i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
III. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 09.07.2025.