Një aksident tragjik është regjistruar në autostradën Fier-Vlorë, në afërsi të Novoselës, ku një automjet është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë, tip skrep.
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shefi i Krimeve të Rënda në Vlorë, Ermal Lula. Ndërkohë, një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore.
Aksidenti ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në këtë aks rrugor, ku situata vijon të jetë e rënduar.
Në vendngjarje pritet të mbërrijnë shërbimet e Policisë, të cilat do të kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur dinamikën e përplasjes dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.







