Nga Etleva Merko
Ajo që nuk u tha…
Sa shumë gjëra ndodhin në këtë vend…
Kur revolta nisi në mënyrë paqësore, zhurma u bë e madhe dhe vazhdoi për muaj me radhë. Sot protesta vazhdon nga studentët dhe është mënyra më e drejtë për të kërkuar atë që u është premtuar prej vitesh dhe nuk u është realizuar. Por sot ka një problem shumë të madh, sepse shumë njerëz po përpiqen të marrin rolin kryesor në protestën studentore, sikur thelbi i saj të mos ishte kauza, por protagonizmi politik.
Ndërkohë, mbreti lakuriq vazhdon të qëndrojë në fronin e tij, mes korrupsionit, duke luajtur rolin e njeriut dialogues, i cili, një Zot e di, nga kush e pret këtë dialog.
Ndërkohë, në rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, janë qytetarët e lodhur ndër vite nga lojërat politike, nga njerëzit që vishen me petkun e politikanit që gjoja i marrin seriozisht hallet e tyre. Qytetarë që vazhdojnë betejën e përditshme për mbijetesë, mes lodhjes, mungesës dhe pamundësisë për të pasur një zë të fortë që t’i përfaqësojë denjësisht.
Më dhemb kjo tragjikomedi e shpërfytyruar, e shndërruar në një galeri të çuditshme qëndrimesh dhe qasjesh politike.
Më dhemb që, edhe kur qytetarët ngrihen për të kërkuar të drejtat e tyre, dikush tjetër përpiqet t’ua rrëmbejë zërin. Më dhemb që kauzat qytetare rrezikojnë të kthehen në skena protagonizmi, ku secili kërkon të dalë në plan të parë, ndërsa qytetari mbetet sërish në hije.
Sepse, në fund, pyetja nuk është se kush do ta marrë meritën e protestës, por kush do të qëndrojë pranë qytetarëve kur kamerat të fiken dhe sheshi të boshatiset.







