Një situatë e pazakontë është regjistruar në provincën e Rizes, në Turqi, ku ujërat e përroit Değirmendere, i cili kalon përmes qytetit dhe derdhet në Detin e Zi, kanë marrë papritur ngjyrë të kuqe.
Pamjet e ujit me ngjyrë të pazakontë kanë shqetësuar banorët dhe kanë bërë që autoritetet të nisin menjëherë verifikimet për të zbuluar shkakun e këtij fenomeni dhe nëse bëhet fjalë për ndotje mjedisore.
Në terren kanë mbërritur përfaqësues të Bashkisë së Rizes dhe të Drejtorisë Provinciale të Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike. Gjatë kontrolleve, të kryera edhe përmes përdorimit të dronëve, është identifikuar një subjekt që dyshohet se shkarkonte në mënyrë të paligjshme mbetje ose substanca të tjera në ujërat e përroit.
Sipas mediave lokale, dyshimet janë përqendruar te një fabrikë private e përpunimit të çajit, ndaj së cilës janë marrë masa administrative në bazë të legjislacionit turk për mbrojtjen e mjedisit.
Paralelisht, autoritetet kanë marrë mostra nga uji dhe i kanë dërguar për analiza laboratorike, me qëllim përcaktimin e substancës që shkaktoi ndryshimin e ngjyrës dhe shkallës së ndotjes.
Deri më tani nuk ka një përfundim zyrtar mbi përbërjen e substancës dhe dëmin e mundshëm mjedisor. Guvernatoria e Rizes ka bërë të ditur se, pas daljes së rezultateve laboratorike, mund të ndërmerren edhe masa të tjera ligjore ndaj subjektit përgjegjës.







