Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka kritikuar ashpër Belinda Ballukun, duke e cilësuar si shembullin më të keq të modelit të qeverisjes brenda Partisë Socialiste.
Duke shpjeguar qëndrimin e saj për mosvotimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut, Spiropali tha se ky ishte një akt politik dhe se vendimi i saj kishte të bënte me kundërshtimin ndaj modelit që, sipas saj, ajo përfaqëson.
“Nëse mund ta them me emër, për Belinda Ballukun, dhe kam bërë një akt politik, mosvotimi për heqjen e imunitetit. Jo se dua të shoh një grua në pozita të tilla, por për shkak të moslegjitimitetit të modelit. Këtu fillon dhe mbaron problemi.
Njerëz që, siç ka dalë më pas, kanë qenë duke shpërndarë favore politike me emra, a ka vlerë emrat? Jo, vlerë ka modeli. Unë besoj se Belinda Balluku, që më del emri gjithkund me përballjen me vetveten dhe pse nuk e kam përmendur, është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike dhe viktima më e freskët e një modeli që duhet të ndryshojë. Këtë kam menduar kur nuk kam shkuar të votoj. Kam keqardhje edhe për të, për faktin që është grua, për fëmijët, madje edhe për shpirtin e saj, lutem”, u shpreh Spiropali.








