Ish-kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi është dënuar me 1 vit burg për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Krahas dënimit me burg, gjykata ka vendosur ndaj tij edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.
Sipas vendimit të gjykatës, vuajtja e dënimit do të nisë vetëm pasi vendimi të marrë formë të prerë, ndërsa dënimi përfundimtar prej 1 viti burg është caktuar pas aplikimit të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale.
Në të njëjtën çështje janë shpallur fajtorë edhe tre të pandehur të tjerë, Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo, të akuzuar për të njëjtën vepër penale, atë të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.
Dorjan Spaho është dënuar përfundimisht me 1 vit burg dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Fillimisht, ndaj tij ishte caktuar dënimi me 1 vit e 6 muaj burg, por pas aplikimit të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, masa e dënimit u reduktua në 1 vit.
Me të njëjtin dënim janë ndëshkuar edhe Andi Bullari dhe Ledio Xharo, të cilët janë dënuar secili me 1 vit burgim dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike.
Edhe për tre të pandehurit e tjerë, ekzekutimi i dënimeve do të nisë pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që shpenzimet procedurale të hetimit dhe të gjykimit të përballohen në mënyrë solidare nga të gjithë të pandehurit.








