Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është dënuar me 17 muaj burg nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor për pengim të drejtësisë. Vendimi është shpallur nga gjykatësi Christopher Gosnell dhe gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij, gjykatësi bëri me dije se çështja lidhet me veprime të dyshuara për ndërhyrje në proceset gjyqësore dhe ndikim te dëshmitarët e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, Thaçi kishte koordinuar tri grupe, ku përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Në këtë proces janë administruar gjithsej 241 prova materiale të paraqitura nga Prokuroria dhe mes tyre përfshihen edhe audioincizime të bisedave mes Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij, të regjistruara gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Çështja për pengim të drejtësisë përfshin gjithashtu Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.
Ky vendim vjen rreth dy muaj pasi, më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale e dënoi Thaçin me 25 vjet burgim në një proces tjetër gjyqësor, që lidhet me krime lufte gjatë periudhës 1998-1999.







