Era e fortë dhe dallgët e larta kanë pezulluar përkohësisht lundrimin e trageteve në linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, nisja e trageteve që ishte parashikuar për mbrëmjen e kësaj të enjteje është shtyrë me 10 orë.
Sipas Autoritetit Portual të Durrësit, tragetet që duhej të niseshin në orën 22:00 do të largohen nga porti në mëngjesin e 13 nëntorit, në orën 08:00.
Pasagjerët janë njoftuar për ndryshimin e orarit, megjithatë disa prej tyre shprehen se nuk kanë marrë informacion të mjaftueshëm për kohën e re të nisjes. Një udhëtar italian tha se shpreson që vonesa të mos ndikojë në mbërritjen e tij në destinacion.
Ndërkohë, procedurat e imbarkimit për pasagjerët dhe automjetet kanë vijuar normalisht. Udhëtarët do të qëndrojnë në tragete deri në momentin kur kushtet atmosferike të përmirësohen dhe lundrimi të konsiderohet i sigurt.
Për shkak të motit të keq, autoritetet detare kanë pezulluar gjithashtu daljen në det të anijeve të peshkimit. Ky kufizim do të mbetet në fuqi deri në përmirësimin e situatës atmosferike.







