Një shtetase greke 34-vjeçare dhe një shqiptar 38-vjeçar janë arrestuar në Kostur të Greqisë, pasi u kapën duke transportuar rreth 19 kilogramë marijuanë.
Arrestimi i tyre u krye mbrëmjen e kaluar, gjatë një operacioni të zhvilluar nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve në kuadër të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve greke, pas marrjes dhe verifikimit të informacioneve në rrugë operative, policia pikasi një automjet që po lëvizte në mënyrë të dyshimtë në një zonë të Kosturit. Në drejtimin e makinës ndodhej 34-vjeçarja greke, ndërsa në sediljen e pasagjerit ishte shqiptari 38-vjeçar.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët zbuluan dy çanta udhëtimi, brenda të cilave ndodheshin 18 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 18 kilogramësh e 800 gramësh.
Përveç lëndës narkotike, policia sekuestroi edhe automjetin që përdorej për transportin e drogës, dy telefona celularë dhe dy karta SIM.
Hetimet për këtë rast po kryhen nga Departamenti i Narkotikëve në Kostur. Dy të arrestuarit, ndaj të cilëve është ngritur çështje penale, pritet të paraqiten përpara Prokurorit të Gjykatës Penale të Kosturit.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë konstatuar një intensifikim të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Gjatë 15 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar më shumë se 1.3 ton marijuanë në disa zona, përfshirë Igumenicën, Janinën, Kosturin, Follorinën dhe Selanikun.
Një pjesë e konsiderueshme e rasteve të zbuluara lidhet me linjën e trafikut Sarandë-Igumenicë, përmes së cilës dyshohet se është transportuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së sekuestruar në këto zona të Greqisë.
Mes rasteve të evidentuara është edhe një operacion në Igumenicë, ku autoritetet greke zbuluan një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.







