Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimet për situatën politike në Shqipëri gjatë diskutimit për vendin në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET). Në një video të publikuar në rrjetet sociale pas mbledhjes, ajo bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishin zgjedhjet, funksionimi i shtetit ligjor, trajtimi i protestuesve dhe liria e mediave.
Tabaku tha se një nga çështjet kryesore të ngritura ishte nevoja për një qeveri teknike, të cilën e paraqiti si një zgjidhje për të dalë nga ngërçi politik dhe për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas saj, krimi i organizuar ka penguar rotacionin politik në Shqipëri.
Një tjetër shqetësim i përcjellë në Parlamentin Europian lidhej me barazinë para ligjit dhe mënyrën se si trajtohen politikanët e akuzuar për korrupsion në raport me qytetarët që dalin në protesta.
“A trajtohet njësoj një politikan i korruptuar me një qytetar që proteston? A është sot perceptimi që kushdo që bën korrupsion mund të dalë i lirë?”, u shpreh ajo.
Deputetja u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se miratimi i ligjeve nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen në praktikë. Sipas saj, respektimi i shtetit ligjor dhe i të drejtave të qytetarëve duhet të jetë një angazhim konkret.
Në diskutimin në AFET, Tabaku tha se ishte përcjellë edhe shqetësimi për mënyrën e trajtimit të protestuesve nga policia, të cilën e cilësoi si shpeshherë jodinjitoze dhe të dhunshme. Ajo përmendi gjithashtu lirinë e mediave, duke i konsideruar këto çështje si elemente thelbësore për rrugën europiane të Shqipërisë.







