Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar ndryshimin e politikave ekonomike në Shqipëri, duke argumentuar se integrimi në tregun europian nuk mund të sjellë përfitime konkrete pa rritur prodhimin, investimet dhe produktivitetin e bizneseve.
Gjatë një vizite në Bruksel, ku po zhvillon takime me eurodeputetë dhe do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Punëve të Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian, Tabaku ngriti shqetësimin për strukturën e ekonomisë shqiptare dhe dobësimin e sektorëve prodhues.
“Sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, po edhe sipas Progres Raportit, Shqipëria ka gjithë mundësinë që të shfrytëzojë tregun e përbashkët europian”. Tani, çfarë të eksportojë Shqipëria kur nuk ka prodhim, kur nuk ka produktivitet, kur nuk investon as tek inovacioni, nuk investon as tek produktet e reja?, u shpreh Tabaku.
Tabaku nënvizoi se afrimi me Bashkimin Europian duhet të përkthehet në rezultate konkrete për sipërmarrjet, fermerët dhe familjet shqiptare. Për këtë, ajo kërkoi politika fiskale më të drejta, më shumë investime dhe mbështetje për bizneset që prodhojnë.
“Integrimi ekonomik kërkon investime. Integrimi ekonomik kërkon biznese që prodhojnë. Integrimi ekonomik kërkon një ekonomi që punon për shumicën”, deklaroi Tabaku.







