Një tubacion strategjik që lidh lindjen me perëndimin e Arabisë Saudite është goditur këtë të hënë në rajonin e Medinës, duke shkaktuar një zjarr të përmasave të kufizuara.
Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i Ministrisë saudite të Energjisë, i cili konfirmoi se incidenti nuk ka shkaktuar viktima apo të plagosur.
Pavarësisht dëmtimeve të raportuara, funksionimi i tubacionit nuk është ndërprerë dhe transporti ka vijuar normalisht. Menjëherë pas ngjarjes, ekipet e emergjencës dhe specialistët teknikë kanë mbërritur në vendngjarje për të vënë situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë e zonës.
Deri më tani, autoritetet saudite nuk kanë bërë publike detaje mbi mënyrën e sulmit, autorët e mundshëm apo objektivin e tij.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku Arabia Saudite është përfshirë prej vitesh në konfliktin e Jemenit, duke mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht kundër rebelëve Huthi.
Këta të fundit kanë kryer në të kaluarën sulme të shumta me raketa dhe dronë ndaj territorit saudit, duke vënë në rrezik edhe objektet strategjike të energjisë.
Megjithatë, deri në këtë fazë, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që sulmi ndaj tubacionit të jetë kryer nga rebelët Huthi apo të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me ta.





