Vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán, Áron Orbán, është ndaluar nga autoritetet në Hungari, nën dyshimet për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore. Lajmi është bërë publik nga kryeministri Péter Magyar, i cili iu referua raportimeve të mediave vendase për operacionin.
Në një reagim në rrjetet sociale, Magyar bëri të ditur se hetimet po zhvillohen nga Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Sipas mediave hungareze, aksioni është shtrirë në Budapest dhe në disa zona të qarkut të Pestit. Gjatë operacionit janë ndaluar disa persona dhe janë kryer kontrolle në banesa.
Emri i Áron Orbán ishte përmendur edhe më herët në një hetim për një skemë të dyshuar që synonte lehtësimin e marrjes së vizave Shengen nga shtetas të huaj.
Kompania e lidhur me të dyshohet se kishte ndërmjetësuar regjistrimin e shtetasve vietnamezë në një kurs dyditor të ndihmës së shpejtë pranë Universitetit të Pécsit. Sipas dyshimeve, kjo procedurë mund të përdorej për të lehtësuar pajisjen e tyre me viza.







