Protesta e studentëve dhe qytetarëve është zhvendosur mbrëmjen e kësaj të mërkure përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas shoqërimit me forcë të dy aktivistëve, Edison Lika dhe Dritan Goxhaj.
Më herët, protestuesit ishin mbledhur përpara Kryeministrisë, ku dy aktivistët u morën nga policia pasi refuzuan të pranonin fletët e gjobës për pjesëmarrje në një tubim të cilësuar nga uniformat blu si të paligjshëm.
Pas këtij veprimi, qytetarët u drejtuan drejt Drejtorisë së Policisë, ku kërkojnë lirimin e Likës dhe Goxhajt.
Protestuesit kundërshtojnë qëndrimin e policisë, duke pretenduar se tubimi ishte i ligjshëm dhe se për zhvillimin e tij kishin marrë leje nga autoritetet përkatëse për qëndrimin në bulevard.
Nga ana tjetër, efektivët nuk e kanë pranuar këtë pretendim dhe kanë ndërhyrë për të shoqëruar dy aktivistët.







