Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar probleme të konsiderueshme në administrimin financiar të Bashkisë Himarë, gjatë auditimit për periudhën 2023–2025, duke evidentuar 16 gjetje me rëndësi.
📌 315 milionë lekë detyrime të pambledhura
Në fund të vitit 2025, detyrimet e papaguara ndaj bashkisë arritën në 314.8 milionë lekë, rreth 3.15 milionë euro. Prej tyre, 171.3 milionë lekë u përkasin bizneseve dhe 135 milionë lekë familjeve.
📌 22.6 miliardë lekë pasuri pa inventar
KLSH konstaton mungesë të inventarëve kontabël dhe fizikë për toka, troje dhe terrene me vlerë 22.62 miliardë lekë. Probleme janë evidentuar edhe për ndërtesa, rrugë, vepra ujore dhe pajisje.
📌 Bilanci thotë zero, Thesari evidenton 48.5 milionë lekë borxhe
Bashkia ka deklaruar zero detyrime ndaj furnitorëve dhe kreditorëve, ndërsa të dhënat e Thesarit tregojnë 48.49 milionë lekë detyrime të papaguara.
📌 157 milionë lekë diferencë në të ardhura
Të ardhurat nga taksat dhe tatimet rezultojnë me një diferencë prej 157.3 milionë lekësh mes raportimit të bashkisë dhe të dhënave të Thesarit. Gjithashtu, grantet korrente rezultojnë të mbivlerësuara me 107.15 milionë lekë.
Auditimi evidenton edhe mangësi në dokumentimin e 2.4 miliardë lekëve investime, si dhe probleme në pasqyrimin e aktiveve dhe detyrimeve financiare.
Në përfundim, KLSH i ka lënë Bashkisë Himarë 15 masa organizative dhe një masë për uljen e borxhit tatimor dhe përmirësimin e arkëtimit të detyrimeve vendore.
📍 Shifrat e auditimit ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si administrohen të ardhurat dhe pasuritë publike në një prej bashkive me aktivitetin më të rëndësishëm turistik dhe të tregut të pronave në vend.








